Tuesday, August 2, 2011

PUNIMET PER RRUGEN E ARBERIT

Punimet në Rrugën e Arbërit:

Nisin në Tiranë, prishen në Bulqizë

http://rrugaearberit.com/images/rrugaphoto.jpg

FILLOJNË PUNIMET NGA TIRANA NË RRUGËN E ARBËRIT

Para pak ditësh kanë nisur punimet në segmentin e parë të Rrugës së Arbërit, në dalje të Tiranës. Te “Ura e Brarit” në hyrje të repartit ushtarak, shenja që tregojnë se është zonë ushtarake dhe është e ndaluar për civilët, nuk pengon hyrjen dhe daljen makinerive të rënda që zhvendosin materiale që hiqen nga hapja e trasesë. Tabela treguese tregon se firma që po kryen punimet është “Gener 2” shpk, e cila ka filluar punimet në rrugë më 20 maj 2011 dhe do t’i mbarojë ato më 6 maj 2013. Tenderi për këtë segment rrugor, rreth 4.5 km është zhvilluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve më 8 maj 2011. Vlera e punimeve të këtij loti është 2.332.963.024 lekë, përafërsisht 16.7 milionë euro. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve thanë për gazetën “Rruga e Arbërit” se së shpejti do të shpallet edhe tenderi për një segment rrugor “Dalja e Urës së Vashës – Tuneli i Murrizës. Pas kësaj, mbeten edhe dy segmentet e fundit, që përfshijnë Tunelin e Murrizës dhe Urën e Vashës, dy më të vështirët, për t’u bërë funksionale Rruga e Arbërit”.

VONESA NË AKSIN BULQIZË – URA E VASHËS

Por ndërsa nga Tirana vazhdon një segment i ri i rrugës, në lotet aktuale ku po punohet, Vajkal – Ura e Vashës, duket se ka vonesa në punime. Në tabelën treguese punimet në këtë segment duhet të kishin përfunduar në fund të marsit të këtij viti, por edhe pse kanë kaluar 3 muaj, duhen edhe shumë të tjera për të përfunduar. Një burim nga Drejtoria Rajonale Rrugëve në Dibër konfirmoi se vonesat kanë ardhur për shkak të vështirësive ekonomike që po kalon vendi dhe për shkak të mospagesave në kohë për firmat ndërtuese. Por burimi, që nuk dëshiron të identifikohet, vë theksin edhe në disa ndryshime që i janë bërë Rrugës gjatë procesit të ndërtimit. Disa kohë më parë, pranë gazetës kanë ardhur disa sinjale se po vonohen qëllimisht punimet në këtë segment, për të bërë ndryshime që do të lehtësojnë ndërtimin, por do të sjellin dëme të pariparueshme te standardet e rrugës. Tre ndryshimet thelbësore janë në eliminimin e tunelit të Qafë Buallit, ndërtimin jashtë standardeve të mbikalimit që lidh qytetin e vjetër të Bulqizës me qytetin e ri, si dhe eliminimin e një viadukti pranë Urës së Vashës.

Të tre këto ndryshime bien ndesh me projektin e miratuar të rrugës dhe kanë ndodhur gjatë procesit të ndërtimit. “Të vetmet raste kur mund të ndodhin ndryshimet janë kur bëhen për përmirësimin e cilësisë dhe rritjen e standardit të rrugës, jo për prishjen e saj”. Ndryshimet konsistojnë në eliminimin e tunelit të Qafë Buallit dhe ndërtimin aty të një urseku të madh, i cili përveç dëmit ekologjik, do të jetë një bllokim i madh në Rrugën e Arbërit, kryesisht në kohën e dimrit. Gjithashtu, në mbikalimin që lidh dy qytetet e Bulqizës, të riun dhe të vjetrin, nga tre korsi që janë parashikuar për Rrugën e Arbërit, ajo është ndërtuar me 2 korsi, ndërsa hyrjet dhe daljen të rrugë po parashikohet të ndërtohen ndryshe nga projekti i zbatimit.

Ndërsa për rastin e viaduktit pranë Urës së Vashës duket se po bëhen përpjekje për ta eliminuar fare, duke sjell një dëm të pariparueshëm për të ardhmen e Rrugës.
Njëri nga deformimet më të rëndësishme është eliminimi i tunelit në Qafë Buall, që sipas projektuesve të saj “ÅF-InfraTransProject LTD & Civil Engineering Institute “Makedonija” – JS Skopje”, do të ishte i gjatë 857 metra dhe do të rriste ndjeshëm cilësinë e udhëtimit në aksin e ri. Tuneli do të eliminonte një nga problematikat kryesore të rrugës, bllokimin e saj gjatë dimrit.

Në tenderin në zhvilluar më 20 dhjetor 2010, loti i tretë nga Ura e Vashës në Bulqizë, jepen detaje të tunelit. Eliminimi i tij do të çonte në një skandal të prokurimeve publike në vend. Tenderi me vlerë 1 929 564 224 lekë ose përafërsisht 13.8 milionë Euro, pa TVSH, më së paku duhej të ishte anuluar, për rihapjen e një tenderi të ri, duke mundësuar kështu barazinë në tender.
Duket se kanë qenë këto shqetësime nga terreni që e kanë nxitur shoqatën “Bashkësia Dibrane” të iniciojë ngritjen e një komisioni( grupi pune) për mbikëqyrjen në terren të punimeve të Rrugës së Arbërit dhe gjetjen e mundësive të negocimit për një standard të lartë të rrugës. Shoqëria civile, shoqatat joqeveritare, të zgjedhur qendrorë e vendorë duhet të këmbëngulin së bashku për në një rrugë moderne, duhet të këmbëngulin për një rrugë europiane. Jo vetëm se ky është një premtim që i është dhënë gjithë rajonit, por se ne e meritojmë.

No comments:

Post a Comment