Tuesday, November 9, 2010

Vitrina e librit


Dibra e Madhe dhe një vështrim në Dibrën e Vogël
Nga Prof. Dr. Arian KADIU


Doli në qarkullim libri monografik me karakter psiko-social “Dibra e Madhe dhe një vështrim në Dibrën e Vogël” me autor Prof. Dr. Arian Kadiu. Libri në fjalë përbën një risi për lexuesin dhe studiuesin shqiptar dhe na sjell një rrëfim me një stil të veçantë, duke gërshetuar në të vetën e parë dhe të tretë të komunikimit të autorit me lexuesin, gjë e cila tregon mjeshtërinë e përdorimit të gjuhës shumëformëshe nga ana e autorit.
Autori përmes këtij libri synon që të informojë lexuesin se kush kanë qenë familjet e hershme dhe autoktone dibrane, dhe sesi ato e mbajtën gjallë traditën dibrane deri në ditët tona.
Libri me një tematikë psiko-sociale, ka si qëllim të informojë lexuesin e thjeshtë, por dhe studiuesin se Dibra e Madhe dhe Dibra e Vogël, përveç ruajtjes dhe kultivimit të traditave kulturore kanë nxjerrë në pah figura të shquara të jetës politike, sociale dhe kulturore të cilat jetojnë dhe sot në kujtesën e dibranëve përmes këngëve, valleve dhe folklorit dibran. Ndër të tjera në librin e Z. Arian Kadiu, përshkruhen edhe vlerat historike, juridike dhe humaniste që mbart Dibra dhe kuvendet e saj të ndritshme, që janë dhe pjesë thelbësore e formimit dhe zhvillimit të shtetit shqiptar.
Roli i kryengritjeve dibrane dhe i përfaqësuesve të tyre historikë, vlerat e artit, kulturës dhe sportit të qytetarisë dibranë, oxhaqet e Dibrës, kolana e burrave të shquar dibranë, trajtohet me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për lexuesin.
Prof. Arian Kadiu, përshkruan në librin e tij peshën dhe rëndësinë që mbarti për të gjithë dibranët dhe shqiptarët e trevave shqipfolëse festimi para një viti i “100-Vjetorit të Kuvendit të Dibrës (1909-2009)” në qytetin e Dibrës së Madhe. Kjo ngjarje u festua me gaz dhe lot në sy nga dibranët dhe nga shqiptarët e diasporës, thekson në këtë libër Z. Kadiu.
Për këtë qëllim Shoqata “Bashkësia Dibrane” organizon së bashku me Institutin “AIITC” dhe promovimin e këtij libri, ditën e shtunë dt. 20 Nëntor 2010, ora 11:00 në ambientet e Akademisë së Shkencave në Tiranë.
Libri “ Dibra e Madhe dhe një vështrim në Dibrën e Vogël” gjendet në libraritë e qytetit të Tiranës.

No comments:

Post a Comment