Tuesday, November 9, 2010
Vitrina e librit
Dinastia Shqiptare që Sundoi Misirin (Egjiptin)
Nga Dr. Faruk BOROVA
Doli në qarkullim libri me tematikë historiko-biografike “Dinastia Shqiptare që sundoi Misirin 1805-1952”, me autor Dr. Faruk Borova.
Libri i konceptuar në formën e një monografie i vjen lexuesit shqiptar, por dhe të trevave shqipfolëse, duke evokuar lindjen, zhvillimin, konsolidimin dhe modernizmin e shtetit të Egjiptit nga një prijës me origjinë shqiptare, si Muhamed Ali Pasha, deri tek pasuesit e tij. Gjatë kohës që Z. Faruk Borova, kryente detyrën e tij si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Lindjen e Mesme me qendër në Kajro-Egjipt, pati rastin që të studionte dhe të kontaktonte personalitete të fushës së historisë dhe biografisë së Muhamed Ali Pashës, si dhe të grumbullonte informacione dhe dokumente arkivore rreth jetës dhe veprës së këtij prijësi me origjinë shqiptare.
Libri në fjalë trajton fakte konkrete të argumentuara përmes studimeve, statistikave dhe analizave, se si është ngritur shteti i Egjiptit dhe imazhi i Egjiptit modern në ditët tona, i ardhur si rezultat nga një drejtues si Muhamed Ali Pasha, dhe pas tij nga Ibrahim Pasha. Kjo dinasti e cila udhëhoqi këtë shtet për një periudhë kohore prej 147 vitesh, solli një mesazh se si dinastia e Muhamed Ali Pashës e përbërë nga disa breza (prej 10 përfaqësuesish të kësaj familje) deri tek Mbreti Faruk drejtoi jetën politike, ekonomike dhe social-kulturore të Egjiptit modern, duke lënë pas një kontribut tepër të vyer për brezat dhe historiografinë botërore.
Autori Z. Borova, përmes këtij botimi plotëson më së shumti boshllëkun e krijuar si pasojë e mos botimeve të veprave mbi Muhamed Ali Pashën, duke shuar sadopak kureshtjen dhe mjaft dritëhije që hidhen rreth figurës së tij, si dhe marrëdhëniet diplomatike që mbajtën gjallë Misirin-Egjiptin nga pushtimet Franceze, Angleze, si dhe ftohja e raporteve të Muhamed Aliut me Portën e Lartë. Kështu lexuesi i thjeshtë, por dhe studiuesi do të ketë mirësinë të njihen më nga afër me këto vlera të dala nga kombi shqiptar, dhe që tregojnë sesi një prijës shqiptar si Muhamed Ali Pasha, rindërtoi institucionet dhe strukturën e shtetit modern Egjiptian.
Për këtë qëllim Shoqata “Bashkësia Dibrane” do të organizojë në bashkëpunim me Institutin “AIITC” promovimin e këtij libri, në mesin e muajit dhjetor 2010, në ambientet e Akademisë së Shkencave në Tiranë.
Libri “Dinastia Shqiptare që sundoi Misirin” ka dalë në treg në të gjitha libraritë e qytetit të Tiranës.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment