Tuesday, November 23, 2010

Promovim libri








Aktiviteti mbi Promovimin e Librit të Prof. Dr. Arian Kadiut
Organizuar nga Shoqata Bashkësia Dibrane dhe Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam AIITC
AKADEMIA E SHKENCAVE-TIRANË

Ditën e shtunë dt. 20 Nëntor 2010 në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u promovua libri monografik me temë: Dibra e Madhe dhe një vështrim në Dibrën e Vogël, me autor studiuesin Z. Arian Kadiu. Prof. Dr. Arian Kadiu me një përvojë të gjatë në fushat e shkencave pedagogjike dhe psiko-sociale i vjen lexuesit shqiptar, si dhe të trevave shqipfolëse me një botim të ri rreth vlerave historike, psikologjike, kulturore dhe figurave të shquara nga Dibra. Ky aktivitet i zhvilluar në ambientet e Akademisë së Shkencave këtu në Tiranë, i cili konsiderohet dhe si “tempulli i dijes dhe i shkencës”, mblodhi mjaft miq, studiues, qytetarë të komunitetit dibran, që jetojnë tashmë në Tiranë, përfaqësues të institucioneve akademike dhe shtetërore, si dhe mjaft dashamirës të autorit dhe të librit. Promotor dhe realizues të këtij aktiviteti promovues ishin Shoqata “Bashkësia Dibrane” dhe Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam AIITC.
Në emër të shoqatës Bashkësia Dibrane në këtë aktivitet fjalën e mori kryetari i saj, Dr. Faruk Borova, i cili foli mbi rëndësinë që shfaq promovimi i këtij libri, në gjirin e komunitetit të dibranëve nga Dibra e Madhe, që jetojnë tashmë në Tiranë. Ndër të tjera kryetari Z. Borova, e vuri theksin tek rëndësia e SH.B.D dhe aktiviteteve të saj, si dhe vlerësoi si mjaft të frytshëm bashkëpunimin me AIITC, në një sërë aktivitetesh në vazhdim.
Pas tij referuan mbi librin studiuesi dhe gazetari Z. Namik Selmani, me temë Monumenti i fjalës Dibrane, cili i bëri një analizë të përgjithshme rreth vlerave të librit të Prof. Arian Kadiut. Më pas përshëndeti aktivitetin promovues të librit, në emër të Institutit kërkimor-shkencor AIITC, Zv. Drejtori i saj, Z. Bedri Telegrafi. Ai theksoi rëndësinë dhe peshën pozitive që mbarti organizimi i këtij aktiviteti nga ana e Institutit AIITC. Në emër të Drejtorit të Institutit AIITC, Dr. Ramiz Zekaj, Z. Telegrafi përshëndeti aktivitetin dhe të pranishmit. Gjithashtu Z. Bedri Telegrafi referoi temën e figurave dhe personaliteteve të jetës social-kulturore, religjoze dhe politike nga Dibra e Madhe, të cilët janë përmendur tek libri i Prof. Arian Kadiut. E veçanta e diskutimit të Z. Telegrafi ishte fakti se fjalimi i tij u realizua përmes video-projektorit, duke analizuar çdo personalitet. Fjalën e morën gjithashtu duke diskutuar rreth librit dhe rëndësisë së tij, edhe studiuesi i historisë së Shqipërisë, Z. Sherif Delvina, i cili hodhi dritë dhe fakte mbi vlerat e Dibrës, duke bërë krahasime midis të drejtës zakonore shqiptare të Dibrës me atë të vendeve perëndimore. Pas fjalës së Z. Delvina, pjesëmarrësit e duartrokitën ligjëruesin me entuziazëm. Pas tij diskutoi Mësuesi i Popullit, Z. Ismet Bellova, i cili falënderoi shoqatën Bashkësia Dibrane dhe Institutin AIITC mbi organizimin e përurimit të librit të mikut të tij, Z. Arian Kadiu. Pas tij referoj me temën e Psikologjisë së vlerave dhe traditave dibrane, studenti i Masterit në Shkencat Psiko-Sociale, Z. Erduan Klloboçishta, i cili është një student nga Dibra e Madhe i ardhur në Tiranë për të avancuar studimet e tij pasuniversitare. Pas tij përshëndetën këtë aktivitet dhe personalitete të tjera si: Prof. Dr. Hiqmet Gonxhja, i cili ka qenë dhe kryetari i parë i shoqatës Bashkësia Dibrane, Znj. Mira Pirdeni, Zv. kryetare e kësaj shoqate dhe një aktiviste e njohur e të drejtave të njeriut, si dhe Znj. Natasha Shehu, e cila falënderoj përpjekjet dhe seriozitetin e Arian Kadiut, për të arritur në një studim të tillë me vlera për Dibrën. Në fund fjalën përshëndetëse e morri Z. Arian Kadiu, i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm në aktivitet. Ai falënderoi edhe dy financuesit e librit të tij, si dhe organizatorët e këtij aktiviteti promovues.
Në fund aktiviteti u mbyll me një koktej për pjesëmarrësit, si dhe duke diskutuar me autorin rreth librit “Dibra e Madhe dhe një vështrim në Dibrën e Vogël”. Gjithashtu dhe shoqata Bashkësia Dibrane, i uron suksese dhe mbarësi studiuesit dhe anëtarit të kryesisë së saj, Prof. Dr. Arian Kadiut.

No comments:

Post a Comment