Wednesday, December 1, 2010

Kryetaret e SH. Bashkesia Dibrane



Hiqmet Gonxhja – Ka lindur në Tiranë më 21.04.1928 në familjen e arsimtarit veteran dhe krijuesit të muzikës së “Marshit të Djelmënisë Dibrane” dhe me tekst të Haki Sharofit, Sami Gonxhja. Ai e ka prejardhjen nga familjet më të mira dibrane të Camollarëve, Shemsibega, Jegenëve dhe Dovolanëve dhe është nip gjithashtu i Hafëz Raif Gonxhes. Ai i ka kryer studimet e larta universitare në vitet 1948-1958 në Institutin e Lartë të Gjeodezisë, Aerofotorilevimit dhe të Hartografisë në Moskë, ku diplomohet me notën “shkëlqyeshëm” si inxhinier gjeodet-hartograf. Gjatë një periudhe 45-vjeçare ai aktivizohet në disa fusha, si: 24 vjet në zbatim, 20 vjet kryetar ekspedite dhe kryeinxhinier ndërmarrje në sektorin gjeologjik dhe mbi 25 vjet si pedagog titullar i jashtëm gjatë periudhës vjeshtë –pranverë.
Hiqmet Gonxhja është autor dhe bashkautor i përpilimit të rreth 100 hartave e planeve topografike në shkallët 1: 500; 1:1,000; 1:2,000 dhe 1:5,000 të zonave më të vështira malore për llogari të kërkim-zbulimeve gjeologjike, është autor i shtatë manualeve tekniko-metodike, i dy teksteve mësimore universitare dhe i katër monografive. Autor dhe bashkautor i 6 referateve dhe 35 raporteve të ndryshme tekniko-shkencore. Autor i shumë artikujve dhe shkrimeve të ndryshme të botuara në gazeta e revista. Me gjithë moshën e thyer ai ka përgatitur për botim një libër me 125 poezi dhe si bashkautor po përgatit një libër voluminoz me mbi 1,000 faqe me titull “Mozaik i Kulturës së Përgjithshme”. Për merita të mëdha në punën e tij të gjatë dhe kontributin personal, dhe si veteran i luftës antifashiste ai është nderuar me 6 medalje e urdhra pune të klasave të ndryshme. Ai aktualisht është anëtar aktiv i Shoqatës Bashkësia Dibrane. Prof. Dr. Hyqmet GONXHIA ka qene drejtues i shoqates nga nëntor 1992-1993.

No comments:

Post a Comment