Monday, October 4, 2010

Takime


Mbi Frymën e Bashkëpunimit…


Takim ndërmjet kryetarit të Shoqatës
Bashkësia Dibrane Dr. Faruk Borova me kryetarin e Shoqatës së
Intelektualëve Dibranë Prof. Nuri Abdiu.




Më dt. 28 shtator 2010, kryetari i shoqatës Bashkësia Dibrane Z. Faruk Borova, zhvilloi një takim në kuadrin e bashkëpunimin të Shoqatës Bashkësia Dibrane me Shoqatën e Intelektualëve Dibranë, e drejtuar nga Profesor Nuri Abdiu. Në këtë takim tepër të dëshiruar nga të dyja palët u konsiderua si tepër i rëndësishëm për perspektivën dibrane (kulturore, ekonomike, si dhe të traditave dibrane) bashkëpunimi më intensiv në aktivitete të përbashkëta, që nderojnë jo vetëm Dibrën e Madhe, por dhe figurat dhe intelektualët dibranë, që kanë kontribuar për forcimin dhe konsolidimin e shtetit dhe të kulturës shqiptare.
Ndër të tjera Prof. i nderuar Nuri Abdiu e vuri theksin e tij tek një pjesëmarrje më e gjerë e komunitetit dibran, në veprimtaritë kulturore dhe argëtuese të dy shoqatave dibrane në vendin tonë. Ai theksoi se: “Është tepër e rëndësishme për të qenë të bashkuar, dhe për të çuar mesazhin dhe frymën e bashkëpunimit jo vetëm mes dibranëve por dhe ndërmjet komuniteteve dibrane që jetojnë në Dibrën e Madhe, por dhe ato dibranë që kanë vite dhe janë vendosur në Shqipëri.” theksoi kryetari i SHID-në Prof. Nuri Abdiu.
Ndër të tjera Dr. Faruk Borova, i komentoi Z. Nuri Abdiu, ndryshimet e reja që janë bërë në strukturat drejtuese të shoqatës “Bashkësia Dibrane”. Ne jemi munduar që të realizojmë një gërshetim dhe ndërthurje brezash, duke vendosur anëtarë të rinj në shoqatën “Bashkësia Dibrane”. Kjo me synimin se të dyja brezat kanë se ç’marrin dhe japin me njëri-tjetrin për qëllimet e shoqatës, theksoi Z. Borova.
Në emër të kryesisë së SHBD-ne, Dr. Faruk Borova i dorëzoi Prof. Nuri Abdiut, njëherësh dhe kryetar i SHID-ne ftesën e bashkëpunimit dhe të frymës së aktiviteteve të përbashkëta, ku të dyja shoqatat duhet të kontribuojnë.
Kryetari, Prof. Abdiu e mirëpriti këtë ftesë duke evidentuar dhe komunikimin e saj dhe tek anëtarët e kryesisë së SHID-në.
E mirëpresim ftesën tuaj si një dëshirë të madhe për të kontribuar për Dibrën, qytetarët e saj dhe të gjithë ato intelektualë që u përpoqën për të, dhe kurrë nuk e haruan vendlindjen dhe origjinën e tyre, theksoi Z. Nuri Abdiu.



KRYESIA E SHOQATËS BASHKËSIA DIBRANE

No comments:

Post a Comment