Tuesday, October 5, 2010

Perurim


U inauguruan objektet e arsimit sipëror në Dibër të Madhe

Entuziazëm dibran e mbarëshqiptar


E premtja pasdite e 1 tetorit 2010, dita kur në Dibër solemnisht u bë inaugurimi i objekteve të arsimit sipëror, do të mbetet në mendjet dhe zemrat e dibranëve datë e shkëlqyer e kësaj epoke të re kur filluan punën fakultetet e dispersuara nga USHT në Dibrën legjendare të mendjes, penës dhe pushkës. Dibra më në fund e mori hisen e vet të arsimit sipëror në vatrën dibrane. Dibrës iu kthye imazhi i dinjitetit, dijes,urtësisë e mençurisë.
Mijëra dibranë e kishin mbushur platenë para objekteve të arsimit sipëror me fytyra të qeshura dhe zemra të lumturuara për të pritur plot bujari e zemërgjerësi mysafirët e shumtë nga tërë trojet shqiptare që kishin ardhur për të përjetuar bashkërisht këtë eveniment historik. Në këtë aktivitet solemn ishin të pranishëm Ali Ahmeti, lider i BDI-së, Abdylaqim Ademi, z/v kryeministër, Lindita Qazimi, z/ministre e arsimit, deputetë, Prof. Dr. Agron Reka, rektor i USHT, Dr. Argëtim Fida, kryetar i Komunës së Dibrës, Prof. Dr. Zamir Dika, rektor i UEJL, prorektorë dhe dekanë nga universitetet shqiptare nga Maqedonia e Shqipëria, Mr. Ruzhdi Lata, myftiu i Dibrës, kryetarë komunash, liderë të partive politike, kryetarët e shoqatave dibrane në Tiranë Prof. Dr. Nuri Abdiu ( Kryetar i Shoqatës së Intelektualëve Dibranë) dhe Dr. Faruk Borova ( Kryetar i Shoqatës Bashkësia Dibrane), intelektualë dibranë nga Prishtina, Shkupi dhe Tetova, veteranë të arsimit shqip nga Dibra, kryetari i këshillit dhe këshilltarë të Komunës së Dibrës etj.
Prof. Dr. Agron Reka, rektor i USHT-së, para të pranishmëve, theksoi se, “ USHT na ka tubuar sot në Dibër në ceremoninë e përurimit të objektit për studimet e dispersuara të Fakultetit Filologjik dhe të Fakultetit të Mjekësisë, të cilët që nga dita e sotme këtu zhvillojnë aktivitetin arsimor dhe shkencor. Zotëri Ali Ahmeti ka mbështetur pa rezervë të gjitha projektet e dispersimit të studimeve nëpër qytetet Shkup, Strugë, Kërçovë, dhe në vatrën e inteligjencës shqiptare në Dibër.
Përherë do të jem i angazhuar në shërbim të studentëve dhe të diturisë. Duhet të angazhohemi të gjithë së bashku që USHT të shndërrohet në qendër të fuqisë intelektuale të shqiptarëve të Maqedonisë, me synim të inkuadrimit në hapësirën evropiane të arsimit sipëror, ku dija e shkenca janë virtyte me të cilat verifikohen shoqëritë moderne. Ky objekt i ri që nga kazerma ushtarake është shndërruar në qendër të diturisë dhe përgatitjes së gjeneratave të reja, po dëshmon edhe njëherë përkushtimin e Qeverisë aktuale për ngritjen e cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet, për qasje të lirë e të barabartë të gjithë qytetarëve në realizimin e të drejtës së tyre për arsim e përgatitje profesionale, sidomos për lehtësimet që u krijohen që në vendbanimet e veta t’i ndjekin studimet universitare, gjë që përballon koston e shkollimit. Ky objekt në hapësirat e tij do të ketë disa salla mësimi, kabinete për stafin akademik, zyra për administratën, hapësira për biblioteka, laboratorë dhe hapësira tjera për programet studimore. Aktualisht kanë filluar punën Programi studimor Gjuhë e Letërsi Angleze dhe Programi studimor.
Dega e Fizioterapisë, ndërsa së shpejti pritet të dispersohen edhe programe të reja studimore. Presim që nga këto dy fakultete të dalin kuadro të kualifikuara e me përgatitje profesionale sipas standardeve bashkëkohore që i kërkon tregu i punës. Universiteti ynë edhe në të ardhmen do të organizojë studime të dispersuara edhe në vendbanime tjera, pa dallim të përkatësisë nacionale, gjinore e fetare, sepse ky mission do t’i nxjerr në dritë vlerat e mirfillta të dijes e shkencës”, tha rektori Agron Reka.
Dr. Argëtim Fida, kryetar i Komunës së Dibrës, me këtë rast, u shpreh se, “Dibra priste dhe u përgatit shpirtërisht vite me radhë për këtë ngjarje historike. Të gjithë veteranët e arsimit por edhe babai im i ndjerë e kishin ëndërr, e kjo ndër sot u bë realitet, Dibra u bë qytet universitar. Kjo ishte e paimagjinueshme gjer në momentin kur udhëheqësit tanë të nderuar politik me vendosmërinë e tyre të paluhatshme arritën ta vendosin arsimin sipëror në korniza shtetërore.
Zoti Ali Ahmeti, dibranët dhe populli shqiptar në Maqedoni nuk do ta harrojnë kurrë këtë fakt. Ne jemi mbledhur sot këtu gjithashtu edhe falë premtimit tuaj në vitin 2008 që edhe Dibra të bëhet qytet universitar. Ju me bashkëpunëtorët tuaj e mbajtët premtimin. Ju Prof. Dr. Agron Reka së bashku me prorektorët, jo vetëm që vendosët binarët e duhur të arsimit sipëror shqip në Maqedoni, por ishit vazhdimisht pranë meje dhe bashkëpunëtorëve të mij, duke na inkurajuar që këtë mision të përbashkët ta bëjmë realitet. Duke premtuar se këtu do të ketë studime cilësore dhe kuadër cilësor, Ju Dibrës ia ktheni shpresën dhe dinjitetin që e meriton si qytet arsimdashës.
Së bashku na presin edhe shumë sfida që rinia dibrane dhe e komunave përreth t’i përballojmë sfidat e globalizimit dhe të ekonomisë së tregut. Të nderuar intelektualë universitarë dibranë kudo që veproni, është edhe obligim i juaji të angazhoheni që këtu të sjellim kuadrot më të mira. Me angazhimet e pushtetit vendor, por edhe të Qeverisë dhe z/v kryeminitrit Abdylaqim Ademi, komunës sonë iu dha ish kazerma që sot është Qendër Universitare, kampus me një sipërfaqe prej 28,000 metra katrorë, me 7000 metra katrorë poligone sportive për studentët, me dy objekte mësimi me 1600 metra katrorë, me ambiente tepër komode për studime, me amfiteatër modern me 100 ndenjëse, 13 kabinete, 3 zyra për referentë, 4 zyra për profesorët dhe stafin udhëheqës, një bibliotekë elektronike dhe një bibliotekë klasike që do ta mbajë emrin e Dr. Azmi Dibra “Qytetar nderi i Dibrës”, i cili ka lënë amanet që biblioteka e tij në Tiranë prej 5000 titujsh t’i dhurohet Dibrës.
Ali Ahmeti, lider i BDI-së, duke përshëndetur të pranishmit, deklaroi se, “ Sot jam i lumtur në mënyrë të veçantë. Dua ta ndaj me ju këtë moment kënaqësie, sepse sot për Dibrën dhe dibranët po hapet një faqe e re, sepse i bashkohen familjes së madhe të qyteteve universitare. Uroj dhe përgëzoj mbarë Dibrën për punën e madhe dhe të çmuar që ka bërë në rregullimin e këtyre ambienteve të bukura studimore.
E veçanta e këtij momenti është se në objektet e një kazerme të deridjeshme po përurojmë godinë fakulteti, po hapim një vatër drite e diturie. Nga një simbol që dikur na ndante si komb dhe si vëllezër dhe prej ku buronte frika, e shpeshherë edhe dhuna, sot po inaugurojmë degët e USHT-së, prej ku studentët dibranë por edhe të rretheve tjera do të pajisen me dije dhe do të jenë ai filli i padukshëm që bashkon dhe integron. Ky inaugurim ka rëndësi të jashtëzakonshme, sepse me suksesin e këtij projekti Dibra nuk do të ndihet e lënë pas dore, e harruar dhe e anashkaluar, sepse vendin tonë duhet ta ndërtojmë vetë, ta bëjmë edhe më të bukur edhe më të mirë”, tha në fund Ali Ahmeti.

Përgatiti: Rexhep TORTE

No comments:

Post a Comment