MBLEDHJE KRYESIE E SHOQATËS “BASHKËSIA DIBRANE”
Ditën e premte dt. 17 qershor 2011, në ambientet e Shoqatës Bashkësia Dibrane, u zhvillua mbledhja e radhës së kryesisë së SHBD. Duke nisur diskutimin e tij kryetari i SHBD, dr. Faruk Borova, foli në fillim mbi programin e aktiviteteve të Shoqatës të cilat ishin realizuar për periudhën shtator 2010-qershor 2011.
Gjithashtu si një pikë e veçantë e diskutimit ishte dhe çështja e dekorimit të Z. Abdurahman Dibra (ish Ministër në disa kabinete të qeverive të Mbretërisë Shqiptare) me motivacionin për kontribut të rëndësishëm më ngritjen e arsimit shqiptar, ku Shoqata Bashkësia Dibrane ka dorëzuar pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, dokumentacionin përkatës për dekorim. Prof. dr. Arian Kadiu, anëtar i kryesisë së SHBD, tha në këtë mbledhje se kjo figure zë një rol shumë të rëndësishëm në figurat e jetës politike dhe publike të vendit tonë, dhe ku në të ardhmen shoqata Bashkësia Dibrane, duhet t’i rezervojë një aktivitet të posaçëm këtij personaliteti,- theksoi Z. Kadiu në fjalën e tij.
Një ndër diskutimet më të rëndësishme të mbledhjes së kryesisë së SHBD, ku ju rezervua dhe një vëmendje e veçantë, ishte dhe ecuria dhe zbatueshmëria e projektit të ndërtimit të Rrugës së Arbërit. Për të njohur se deri ku ka mbërritur kjo rrugë, faza e ndërtimit të saj, e cila është me interes të veçantë për të gjithë Shqiptarët, por dhe për komunitetin shqiptar në trevat dhe diasporë, ishte i ftuar projektuesi dhe zbatuesi i kësaj vepre, dr. Faruk Kaba.
Ndër të tjera Z. Kaba, informoi kryesinë e SHBD, se zbatueshmëria e Rrugës së Arbërit, deri tani ka hasur problem shumë serioze dhe me mjaft kosto menaxheriale si dhe tekniko-inxhinjerike, nga ata që pretendojnë të realizojnë ndërtimin e saj. Në një pyetje që iu bë projektuesit Z. Kaba, “se kur pritet përfundimi zyrtar i saj”, ai theksoi se: “Deri tani ritmet e ndërtimit po ndjekin një trend jo shumë të kënaqshëm, duke qenë se ende nuk janë zhvilluar disa faza tenderimi.” Kurse N/kryetarja e SHBD Znj. Mira Pirdeni, u shpreh, se kjo situatë qenka shumë shqetësuese dhe propozoi krijimin e një lobingu gjithëpërfshirës me ekspert, studiues, e specialistë, ku të parandalojnë këtë problematikë.
Duke marrë në konsiderate tërësinë e hendikapeve të shfaqur, si dhe mosrespektimin e standardeve të deritanishme të ndërtimit të Rrugës së Arbërit, kryesia e SHBD propozoi krijimin e një komiteti apo grupi pune të posaçëm me inxhinierë, akademikë, studiues, me qëllim që të japin ndihmesën e tyre që kjo rrugë tepër e rëndësishme të përfundojë sipas parimeve, standardeve të rregulloreve dhe normativave evropiane të rrugëve, me arsyetimin që kjo rrugë të mos përfundojë e dhunuar si mos më keq.
Për këtë arsye në ditët në vijim, ky komitet do të formësohet, dhe do të marrë mendimin e anëtarëve të tij (specialistëve), duke nxjerr në pah vërejtjet, si dhe problematika të shfaqura deri tani, në zbatimin e projektit të ndërtimit të Rrugës së Arbërit. Gjithashtu ky grup pune, do t’i bëj prezente këto shqetësime dhe për komunitetin dibran të SHBD e veçanërisht për publikun e gjerë.
KRYESIA
No comments:
Post a Comment