Saturday, November 24, 2018

NDAHET NGA JETA KRYETARI I KOMUNES DIBER E MADHE RUZHDI LATA


Të nderuar  miq !

Ju përciellim lajmin e hidhur nga Dibra e Madhe se kryetari i Komunës së Dibrës z.Ruzhdi Lata, ka ndërruar jetë në spitalin shtetëror të Shkupit pas një sëmunde të rëndë. Ai do të përcillet për në varrezat e Dibrës së Madhe,  ditën e dielë, datë 25.11.2018 në orën 14.00 mbas ceremonisë fetare dhe në orën 13.00 do të mbahet në ambjeten e Pallatit të Kulturës mbledhja komorative për nder të tij.  

Shoqata "Bashkësia Dibrane", kryesia dhe "këshilli i të Urtëve" i SHBD-së ngushëllojnë familjen dhe të afërmit e z.Lata si dhe mbarë komunitetin dibranë në Tiranë, Dibrër të Madhe,  Amerikë,  Europë.   

U  prehtë në paqe !


Më poshtë po japim dhe biografinë e shkurtër të z.Ruzhdi LATA
                   
image.png

Ruzhdi Lata (06.05.1953-24.11.2018)
I lindur më 06.05.1953, në Dibër. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë. Pas përfundimit të shkollës së mesme vazhdon studimet ne fakulltetin Filologjik-dega Gjuhë orientale në Universitetin e Prishtinës. Shkallën e tretë të studimeve e kreu në Universitetin e Prishtinës dhe morri titullin Magjistër i shkencave të filologjisë. Do të kujtohet si një patriot dhe kontributor për vlerat fetare dhe kombëtare.
Karriera: Prej vitit 1980 ka punuar në Bashkësinë Islame dhe në të njejtën kohë ka ligjëruar në Universitetin e Prishtinës në katedrën e Orientalistikës deri në vitin 1991 kur sërbët me dhunë e larguan nga fakullteti. Punën në Prishtinë e vazhdoi edhe dy vjet në shtëpi private ku fakullteti mbante mësim. Pas vitit 1993 përsëri paralelisht dy vjet punoi në Bashkësinë Islame në Maqedoni dhe në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup deri në vitin 1995. Pas vitit 1995 punoi vetëm në Bashkësinë Islame deri në vitin 2009, pas vitit 2009 gjer në vitin 2013 punoi në Bashkësin Islame dhe ligjerues në katedrën e Orientalistikës në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Në vitin 2013 u votua dhe u zgjodh kryetar i Komunë së Dibrës.
Gjuhët: shqip, maqedonisht, sërbokroatisht, turqisht dhe arabisht.
Gjatë karierës është marrë me përkthime nga arabishtja, vepra e dhjetë e Sahihil-Buhariut, nga turqishtja, romani i Sami Frashërit “Dashuria e Talatit me Fitneten”, publikim i disa artikujve në katër vazhdime për Haxhi Vehbi Dibrën, Haki Sharofin, Fuat Dibrën etj.
Pjesmarrës në disa simpoziume ndërkombëtare dhe konferenca shkencore me temë “Kontributi i Ulemave dibranë në lëvizjen kombëtare”, “Kontributi i Ulemave të Rekës”, “Pjesmarrja e hoxhallarëve në Lidhjen shqiptare të Prizrenit dhe në Shpalljen e Pavarësisë” etj.
Përkrahës i lëvizjeve demokratike në Dibër dhe më gjërë, kontribut të veçantë ka dhënë për themelimin e partive politike shqiptare në Dibër pas vitit 1990. Njihet edhe si aktivist për pajtimin e popullatës në raste konfliktesh të të gjitha niveleve dhe ka të regjistruar mbi 150 pajtime. Njihet edhe si organizator për ndihmesë materiale për nevojën e kosovarëve, për pritjen dhe sistemimin e bashkëatdhetarëve nga Kosova në Dibër, për Lëvizjen kombëtare shqiptare në Maqedoni, për nevojat e qytetarëve të Peshkopisë në krizën e vitit 1997 etj.
Për punën e bërë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë dekorohet "Qytetar Nderi"nga Këshilli Bashkiak i Peshkopisë si dhe me "Mirënjoje" nga Shoqata "Bashkësia Dibrane"

No comments:

Post a Comment