Thursday, December 30, 2010

18 vjetori i SHBDSH









18-VJET SH.B.SH.
(26.12.1992-26.12.2010)
Nga themelimi i shoqatës Bashkësia Dibrane


Kryesia e Shoqatës “Bashkësia Dibrane” u mblodh ditën e dielë paradite më dt. 26.12.2010, në bar-kafe “Albert”, për të kujtuar së bashku 18-vjetorin e themelimin të Shoqatës “Bashkësia Dibrane”. Kjo shoqatë i ka rrënjët e saj në lëvizjet patriotike dhe kombëtare, të cilat filluan të organizoheshin pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, ku shoqëria “Bashkimi Dibran” dhe klubi “Djelmënia Dibrane”, patën rol kryesor në rizgjimin e krenarisë kombëtare, patriotike, për të mbrojtur vëndin e tyre kundër pushtimeve të huaja.
Të mbledhur për të pirë një kafe së bashku si dhe për të kujtuar tërësinë e aktiviteteve, dhe programeve të SHBD me qendër në Tiranë, dhe si një përmbyllje e aktiviteteve të kësaj shoqate për vitin 2010. Znj. Mira Pirdeni, Zv. Kryetare e SHBD, theksoi mesazhin që po jep sot kjo shoqatë, si shpresë e unitetit dhe e bashkëpunimit mes komunitetit dibran, që jeton në Tiranë me shoqatën “Tirana”. Më pas foli Znj. Natasha Shehu, një intelektuale në gjirin e Shoqatës Bashkësia Dibrane, ku vuri në dukje, se roli i Bashkësisë Dibrane, është evident në tërësinë e fushave sociale, ekonomiko-politike, dhe kulturore, sidomos tek të rinjtë dibranë. Gjithashtu në këtë takim-kafe, mernin pjesë dhe një grup të rinjsh dibranë.
Për t’i dhënë nota humori këtij takimi-kafe, z. Bujar Kapexhiu anëtar i kryesisë së SHBD, foli mbi humoristët dibranë dhe episodet e tyre, që Tirana i ka patur shumë për zemër. Më pas Z. Lulzim Mullahi, anëtar i kryesisë së SHBD-së, foli mbi një frymë të re bashkëpunimi mes brezit të vjetër të SHBD dhe të të rinjëve. “Kjo shoqatë ka patur në themel të rinj, si vizionarë të së ardhmes“ -theksoi Z. Mullahi. Ndërsa sekretari i SHBD-së Roald A. Hysa në emër të brezit të ri të afruar së fundmi në radhët e kësaj shoqate vërejti, se “puna dhe aktiviteti i kësaj shoqate duhet të vijë në ndërthurje me kontributin e të gjithë brezave, e sidomos atyre më të mëdhenj, që dallojnë për përvojën e tyre.” Një përshëndetje e posaçme nëpërmjet mobilit u bë nga kryetari i SHBD-së, dr. Faruk Borova, i cili për arsye shëndetësore mungonte.
Njëkohësisht të gjithë të pranishmit u shprehën se kontributi i të gjithë anëtarëve të shoqatës me ide dhe projekte është i mirëpritur.

Wednesday, December 22, 2010

Promovim libri





Libri “Dinastia Shqiptare që Sundoi Misirin” në Shoqatën Bashkësia Dibrane

Në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave në Tiranë me 18 dhjetor 2010, u prezantua përpara publikut të gjerë kryeqytetas, dashamirësve të librit, si dhe përpara komunitetit dibran që jeton në Tiranë, libri Dinastia Shqiptare që Sundoi Misirin-Egjiptin, me autor Z. Faruk Borova. Të pranishëm në këtë aktivitet promovues të librit ishin përfaqësues të Institucioneve akademike dhe shtetërore, studiues, drejtues si dhe anëtar të shoqatës “Bashkësia Dibrane”, Institutit AIITC, “Lidhja e Intelektualëve Dibranë”, si dhe nga shoqata “Tirana”.
Nderonin me pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet promovues, Shk. e Saj, Znj. Amina Gomaa, Ambasadore e Republikës Arabe të Egjiptit, Zv. Ministri i MTKRS, Znj. Suzana Turku.
Pas fjalës përshëndetëse të mbajtur nga Znj. Mira Pirdeni, Zv. Kryetare e Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, si dhe një aktiviste e njohur e të drejtave të njeriut për barazi gjinore, e cila falenderoi të gjithë të pranishmit, bëri një kronologji të aktiviteteve të shoqatës Bashkësia Dibrane ndër vite. Pas saj folën mbi përmbajtjen e librit historiani i njohur Z. Dritan Egro, ku analizoi personalitetin dhe figurën e një shtetari me një profil modern si ajo e prijësit, Muhamed Ali Pashës. Pas tij Fjalën e mori Dr. Ramiz Zekaj, Drejtori i Institutit AIITC, i cili referoi temën: “Faktori shqiptar në dobi të kombeve të tjera”, ku analizoi lindjen, zhvillimin dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit dhe të së drejtës, betejat dhe fitoret e kurorëzuara nën komandën e një prijësi me origjinë shqiptare, si M. Ali Pasha. Gjithashtu Dr. Zekaj, e konsideroi librin e Dr. Borovës, si një libër, i cili ngacmon kureshtjen intelektuale të shqiptarëve për të patur informacion mbi jetën e një plejade personalitetesh, që kanë lënë gjurmë në historinë e popullit shqiptar, veçanërisht mbi ato figura që kanë kontribuar në drejtimin e perandorive të mëdha. Më pas referoi Dr. Edvin Cami, Pedagog i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, i cili foli mbi figurën e M. Ali Pashës, si shqiptar. Më pas diskutoi rreth librit prof. i historisë së Shqipërisë, Z. Qatip Mara, me temë: “Roli i Kolonive Shqiptare në Egjipt”, ku evidentoi rolin pozitiv të plejadës së drejtuesve me origjinë shqiptare, si M. Ali Pasha, Ismail Pasha, Ibrahim Pasha, si dhe Mbreti i fundit, Faruku, të cilët kanë ndihmuar mërgatën dhe rilindasit shqiptarë, si: Jani Vreto, Thimi Mitko, Thoma Avrami, Andon Zako Cajupi, Athanas Tashko, Jani Vruho, Loni Logori, Thoma Krei, Filip Shiroka etj., për realizimin e ideve të tyre për pavarësi dhe liri. Në pamundësi për të qenë i pranishëm në promovimin e librit të Dr. Borovës, gazetari i gazetës “E Vërteta”, organ i cili botohet në nëntë gjuhë të huaja në Athinë, ia kishte deleguar referatin e tij, me temë Dinastia Shqiptare që Sundoi Misirin, e përgatitur në formën e një interviste Ashiku-Borova, ta lexonte përpara auditorit, një student nga Dibra e Madhe, Erduan Kllobuçishta.
Pas tij përshëndetën promovimin e këtij libri të Dr. Faruk Borovës, Z. Abdi Baleta, i cili theksoi “dobinë e krenarisë kombëtare për këtë figurë, që Muhamed Ali Pasha, është dhe i yni dhe një personalitet që mund të krenohet dhe vetë Egjipti”. Më pas përshëndetën aktivitetin, Znj. Suzana Turku, Zv. Ministre e TKRS e cila e konsideroj aktivitetin si një sesion shkencor të mirëfilltë që bëhet për këtë figurë kaq të madhe dhe historike si M. Ali Pasha. Më pas fjalën e mori Z. Arben Tafaj, Kryetar i Shoqatës “Tirana”, i cili falënderoi Dr. Borovën për këtë libër që i ofrohet lexuesit, por dhe evidentoi dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit mes shoqatës “Tirana” me shoqatën “Bashkësia Dibrane”, të drejtuar nga Z. Faruk Borova. Në përfundim të aktivitetit përshëndeti pjesëmarrësit duke i falënderuar përzemërsisht autori i librit “Dinastia Shqiptare që Sundoi Misirin”, si dhe Kryetari i shoqatës Bashkësia Dibrane, Z. Faruk Borova.
Aktiviteti u mbyll me një koktej të përgatitur për pjesëmarrësit nga Instituti AIITC.

Monday, December 13, 2010

Njoftim per promovim



Pershendetje te gjitheve
Po ju njoftojme se kesaj te shtune me date 18 dhjetor 2010 ne sallen e Akademise se Shkencave Tirane (prane parlamentit) ora 11.15 do te promovohet libri i dr. Faruk Borova "Dinastia shqiptare qe sundoi Misirin". Jeni te mirepritur dhe mundeni te njoftoni edhe miqte e shoket tuaj.
Me respekt Kryesia e SHBDSH.

Tuesday, December 7, 2010

Veprimtari










Në foto: Argëtim Fida dhe Faruk Borova
Në foto: Faruk Borova dhe Ilir Krosi
Në foto: Faruk Borova dhe Ruzhdi Lata
Në foto: pjesëmarrësit nga Dibra e Madhe dhe Shoqata Bashkësia Dibrane
Fotografi nga aktiviteti promovues


Promovimi i Librit “Lufta Kundër Pavarësimit të Shqipërisë”
Me autor Ismail Strazimiri


4 dhjetor 2010
Në ambientet e Qendrës Kulturore të Ushtrisë, në Tiranë, u promovua libri “Lufta Kundër Pavarësimit të Shqipërisë”, një përmbledhje e dokumenteve historike, të realizuara nga periudha për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë 1912 deri në vitet 1931, që përkon me kohën e Mbretërisë në Shqipëri. Në këtë libër Ismail Strazimiri përshkruan përpjekjet titanike, patriotike dhe atdhetare të shumë bijë e bijave dibranë, që dhanë jetën e tyre për mbrojtjen e Dibrës kundër pushtimit serbo-malazez. Njëkohësisht, përshkruhet realiteti i kohës, si dhe ato figura “pseudo nacionaliste” të cilët nuk e përkrahën siç duhej luftën për pavarësi të Shqipërisë. Në këtë përmbledhje historike, e cila nis që me periudhën e shkëputjes së Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe me formimin e Kuvendit të Vlorës, delegatët e këtij kuvendi nga Dibra dhe nga e gjithë Shqipëria, me ardhjen e Princ Vidit dhe roli i Esat Pashë Toptanit në lëvizjet e Shqipërisë së Mesme, kontradiktat dhe mosmarrëveshjet e qeverisë së Fan S. Nolit me Ahmet Zogun, si dhe me një gamë personalitetesh të tjera, si Elez Jusufi (Isufi), të cilët luftuan deri sa dhanë jetën e tyre për komb e atdhe. Në këtë libër përfshihen dhe korrespondencat e Ismail Strazimirit me një sërë personalitetesh dhe autoritetesh të kohës, si dhe opinionet dhe mendimet e disa figurave intelektuale dhe publike të vendit tonë, në lidhje me figurën e Ismail Strazimirit. Promovimi i Librit përpara publikut dhe qytetarëve të komunitetit dibran, që jetojnë tashmë në Tiranë pati si promotor dhe organizator dy shoqatat respektive, shoqatën “Bashkësia Dibrane” dhe “Lidhjen e Intelektualëve Dibranë”. Fjalën përshëndetëse në këtë aktivitet e mbajtën: Prof. Nuri Abdiu, kryetar i Lidhjes së Intelektualëve Dibranë, si dhe Dr. Faruk Borova, kryetar i Shoqatës Bashkësia Dibrane. Pas përshëndetjes nga dy kryetarët respektivë, diskutuan mbi librin, Prof. Pëllumb Xhufi, dhe Prof. Shaban Sinani. Ndërsa në emër të Këshillit të Qarkut Dibër, kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Z. Ilir Krosi i dorëzoj familjarëve të Z. Isamil Strazimiri, medaljen “Mirënjohja e Qarkut Dibër Z. Ismail Strazimiri, pas vdekjes”. “Kjo le të shërbej si një homazh dhe mirënjohje që populli dibran ka për Ismail Strazimirin, theksoi në fjalën e tij Z. Krosi. Të pranishëm në këtë aktivitet krahas mjaft autoriteteve ishin dhe Kryetari i komunës së Dibrës së Madhe (Republika e Maqedonisë), Dr. Argëtim Fida, i cili nderoi dhe përshëndeti me pjesëmarrjen e tij aktivitetin në fjalë. Myftiu i Dibrës, Mr. Rruzhdi Lata dhe një sërë personalitetesh dhe miq të tjerë të ardhur po nga Dibra e Madhe.
Aktiviteti u mbyll, me fjalët përshëndetëse të nipit të Ismail Strazimirit, z. Enver Strazimiri, i cili i falënderoi diskutantët dhe pjesëmarrësit në këtë aktivitet, duke i ftuar në banketin e realizuar nga familja Strazimiri.

Pas këtij aktiviteti Kryetari i Shoqatës Bashkësia Dibrane, Z. Faruk Borova, diskutoj me Kryetarin e komunës Dibër, Z. Dr. Argëtim Fida, me Kryetarin e Bashkisë Peshkopi, Z. Ilir Krosi, si dhe me Myftiun e Dibrës së Madhe Z. Ruzhdi Lata, mbi prioritetet e shoqatës SH.B.D dhe qëllimet e saj kulturore dhe sociale për të ardhmen.

Wednesday, December 1, 2010

Kryetaret e SH. Bashkesia Dibrane



Faruk Borova- ka lindur në Tiranë më 14 shtator 1946 në një familje qytetare me prindër nga Dibra e Madhe [Shehri]. Babai i Farukut Adem BOROVA dhe nëna Hatixhe BOROVA [Bakllava], kanë lindur që të dy në Dibër të Madhe dhe u larguan në moshë të re nga Dibra në vitin 1913 pas ndërhyrjes së Serbëve në trojet shqiptare, përfshirë këtu edhe Dibrën e Madhe. Ai u martua me Arta BOROVA [Hajderi], me profesion inxhiniere ndërtimi. Nga martesa e tyre kanë dy fëmijë: Adens BOROVA, i diplomuar në Milano Doktor Arkitekt, ndërsa vajza Jona BOROVA diplomohet po në Milano për gjuhë të huaja, Anglisht, Frëngjisht dhe Spanjisht. Faruk Borova pas mbarimit të shkollës së mesme në vitin 1964, në gjimnazin Sami Frashri vazhdon studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Degën Kimi Industriale dhe diplomohet kështu Kimist Teknolog, në vitin 1968. Gjatë periudhës studentore 1964-1968 ai aktivizohet me skuadrën e basketbollit 17 Nëntori, sport ky i preferuar për familjen Borova. Profesionin e Kimistit e filloi në rrethin e Mirditës fillimisht në Minierën e Spaçit, ku punonin të burgosurit politikë të regjimit, mandej transferohet në fabrikën e pasurimit të bakrit në Reps dhe mandej në Uzinën e Bakrit Rubik, deri ne vitin 1975. Me tej punon në Institutet kërkimore në Tiranë, fillimisht në Institutin e Gjeologji-Minierave dhe pastaj Instituti i Teknologjisë Kimike. Pas përmbysjes së regjimit komunist ai kreu edhe detyra të tjera jashtë profesionit të kimistit. Në vitet 1992-1993 emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Ndërmarrjes së Tregtisë së Jashtme Industrial-Impeks, ndërsa në vitet 1993-1997, emërohet Ambasador i R. Shqipërisë për të gjithë vendet e Lindjes së Mesme me rezidencë në Kajro. Në vitin 1997 e deri në vitin 2005 punon si menaxher në Kompaninë e Ndërtimit Hawai. Nga viti 2006 e në vazhdim punon si kimist, pra ne profesionin e tij. Faruk gjatë viteve 2006-2010, ka qenë nënkryetar i shoqatës Bashkësia Dibrane, ndërsa në zgjedhjet e fundit qershor 2010 zgjidhet Kryetar i kësaj shoqate.

Kryetaret e SH. Bashkesia Dibrane



Arian Kadiu, ka lindur në Dibër (Peshkopi). Në këtë qytet ka kaluar fëmijërinë dhe rininë e hershme. Që në adoleshencë ka dalluar me talentin e tij për të shkruar në revistën “Pionieri”. Ka kryer shkollën e mesme Pedagogjike, dhe më pas studimet e larta pranë Universitetit të Tiranës në Fakultetin e Histori-Filologjisë në degën e Gjuhë-Letërsi Shqipe. Gjithashtu ka kryer kursin 2-vjeçar pasuniversitar të gazetarisë. Ka punuar si Arsimtar dhe Mësues, në të gjitha ciklet e arsimit parauniversitar, si dhe ka punuar si redaktor në gazetën “Mësuesi”. Penës së tij i përkasin mbi 450 artikuj dhe shkrime të fushës letrare. Në vitin 1982 ka përfunduar kursin 1-vjeçar për pedagogji-psikologji. Ka punuar si punonjës shkencor në ish-Institutin e Studimeve Pedagogjike në Tiranë. Mban gradën shkencore “doktor i shkencave” që prej vitit 1994 dhe titullin shkencor “Profesor” që nga vitit 2007. Aktualisht është pedagog në Fakultetin e Infermierisë në Universitetin e Tiranës. Ai gjithashtu është kryeredaktor i revistës shkencore “Universi” organ i AIITC dhe sekretar kolegjiumi i revistës “Mjekësia dhe Infermieria bashkëkohore”. Botim i Fakultetit të Infermierisë së UT-së. Prof. Dr. Arian Kadiu, është aktualisht anëtar i Kryesisë së SHBD dhe përgjegjës për figurat dhe ngjarjet historike i kësaj shoqate, si dhe vazhdon të jetë shumë aktiv në fushën e botimeve.

Kryetaret e SH. Bashkesia Dibrane




Feti Borova –(1931-2005) Ai është bir i një familje të mirënjohur dibrane e vendosur qysh herët në Tiranë. Familja e tij ishte ndër të parat që vuri bazat e një prodhimtarie ekonomike moderne për Tiranën e asaj kohe. Ai lindi në vitin 1931 në rrugën e Saraçëve në Tiranë, në një mjedis banorësh tiranas e dibranë të përkushtuar për të jetuar në harmoni dhe mirënjohje me njëri-tjetrin. Shumë shpejt qysh në rininë e tij u shqua si njeri i komunikueshëm dhe i preferuar në të gjitha ambientet shoqërore në saje të përkushtimit të tij, si njeri me autoritet dhe me vlera, serioz në ndërmarrjet personale dhe kolektive, të cilat i realizonte në kohë dhe cilësisht. Pa mbushur ende 16 vjeç (1946) ushtroi misionin e mësuesit në shkollat 7-vjeçare. Në moshë shumë të re 17 vjeç ai arriti të përfaqësojë basketbollin kombëtar si anëtar i kombëtares së basketbollit nga viti 1948, duke u bërë kështu edhe një nga pionerët e këtij sporti, i cili u ngrit në nivele të admirueshme në sajë të punës edhe të Feti Borovës. Ai ishte mjeshtër shahu, ku tregoi një nivel të lartë inteligjence.
Feti Borova u diplomua në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, si dhe mbaroi Fakultetin e Historisë, gjithashtu njihte mirë gjuhët frëngjisht, italisht dhe rusisht. Ka ushtruar detyrën e pedagogut në ILKF “Vojo Kushi” në vitet: 1961-1967 dhe 1972-1975. Ai ka luajtur basketboll me ekipet e 17 Nëntorit (Tirana), Partizani e Dinamo, me skuadrën kombëtare të basketbollit 1948-1958. Ka luajtur hendboll me skuadrat e 17 Nëntorit dhe Dinamos, si dhe në shahun individual ka zënë tre herë vendin e tretë në kampionatet kombëtare.
Feti Borova ka ushtruar detyrën e trajnerit të basketbollit me skuadrat e 17 Nëntorit Tiranës për meshkuj e femra dhe të Dinamos, si dhe ka qenë trajner i Kombëtares, pra për 22 vjet ka ushtruar detyrën e trajnerit të basketbollit me mbi 100 ndeshje ndërkombëtare, ku 44 me kombëtaren. Si trajner basketbolli ka fituar të gjithë titujt kombëtarë, si dhe medalje të ndryshme në turne ndërkombëtare. Po ashtu ka ushtruar detyra të ndryshme në forumet më të larta të basketbollit, ku ka qenë president i Federatës së Basketbollit 1992-1995. Gjithashtu ka marrë dekorata të shumta, ku dallon Urdhri “Mjeshtër i Madh” i akorduar nga presidenti i Republikës më 11 korrik 2006 pas vdekjes.
Gjatë periudhës 1996-2005 ka qenë kryetar i Shoqatës Bashkësia Dibrane, ku ka luajtur rolin e organizatorit dhe ringjallësit të trashëgimisë historike-kulturore të komunitetit dibran në Tiranë. E gjithë jeta dhe veprimtaria e Feti Borovës ka mirënjohjen e të gjithëve, që e kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me të. Feti Borova, ka ndërruar jetë në vitin 2005.

Kryetaret e SH. Bashkesia Dibrane




Gëzim Erebara (1929-2007) ka marrë titullin “Artist i merituar” i popullit shqiptar, lindi më 19 maj 1929 në Dibër; vdiq më 12 shkurt 2007. Pasi kreu shkollimin fillor e të mesëm në vendlindje, në vitin 1948 nisi studimet për regjisurë në Akademinë FAMU në Pragë. Në Shqipëri u kthye në vitin 1952. Në vitin 1957 filloi punën si regjisor dhe skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Në fillim, ai punoi si asistent regjie në filmat “Tana”, “Furtuna” dhe “Debatiku”, ndërsa në vitin 1967 realizoi filmin e parë “Ngadhënjimi mbi vdekjen”, film i cili nuk u prit mirë nga censura dhe u ndalua. Për 30 vite ai punoi në Kinostudion “Shqipëria e re” dhe realizoi shumë filma artistikë dhe dokumentarë. Pos kësaj, Gëzim Erebara është marrë edhe me publicistikë, duke botuar artikuj të shumtë të sferës profesionale për regjisurë, por ka bërë edhe analiza e vështrime nga sfera e krijimtarisë së tij profesionale.
Djali i një familjeje tregtare që u vendos në Tiranë rreth viteve ’30, për shkak të persekutimit etnik në ish-Jugosllavi. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik “Famu” në Pragë, 1947-51. Në vitin e fundit të studimeve iu ndërpre bursa dhe u kthye forcërisht në atdhe për shkak se pati deklaruar në një takim studentor, se “Enver Hoxha ka më pak kulturë se një qytetar i mesëm çek”. Në vitin 1957 fillon të punojë në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku kontribuoi në filmat e parë shqiptarë, si dhe në filmat shqiptaro-sovjetikë.
Asistent regjisor në filmin e parë shqiptar Tana, si dhe në bashkëprodhimin shqiptaro-sovjetik, Furtuna në vitet 1958 dhe 1959. Filmografia: “Ngadhënjim mbi Vdekjen”, në bashkautorësi me Pirro Milkanin, 1967. Filmi u nderua me çmimin e Republikës dhe u komercializua gjerësisht në Kinë dhe vende të tjera komuniste, ku pati një sukses të jashtëzakonshëm me mbi 100 milionë shikues të regjistruar. Filmi “Ngadhënjim mbi Vdekjen”, një përshkrim i qëndresës së dy partizaneve të kapura rob dhe të ekzekutuara nga gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, vazhdon të shitet edhe sot në Kinë. Transmetimi i filmit u ndalua në Shqipëri për dy dekada, për shkak se Edi Luarasi, aktore kryesore u persekutua pas Festivalit të 11-të në RTSH.
Filmi i parë i pavarur, “Guximtarët”, u prodhua në vitin 1970. Suksesin më të madh e arriti me filmin “Në fillim të Verës”, 1975. Filmi “Nusja” konsiderohet gjerësisht si një eksperiment që nuk pati sukses tregtar, por që paraqiti botën e dokeve ballkanike dhe u vlerësua nga kritika.
Në vitin 1976, realizoi filmin “Pylli i Lirisë”, një histori nga rezistenca antifashiste e filmuar në pyllin e Divjakës, ku e veçanta qe vendosja e një kali, si personazh kryesor. Siç ka treguar ai vetë, frika ishte e madhe për shkak se prania e kuajve në një film shqiptar si dhe koincidenca historike (vrasja e Petrit Dumes dhe shpallja e garave me kuaj si sport mikroborgjez), patën krijuar një situatë të tensionuar. Edhe kali personazh në film, pati rënë pre e luftës politike të kohës, ku nga hipodromi i Ministrisë së Mbrojtjes, qe dërguar për kalë karroce në një fshat në Përmet, ku i kishin prerë kreshtën. Gjatë filmimeve, kreshta e kalit u realizua me trukim. “Pylli i Lirisë” është edhe filmi i parë me ngjyra me ekran të gjerë i realizuar në Shqipëri.
Shumë herë në emisione televizive ka treguar se filmi i tij i pëlqyer ishte “Një natë pa dritë”. I realizuar në vitin 1981, filmi paraqet figurën komplekse të Migjenit. Në vitin 1961 pati realizuar një dokumentar për figurën e Migjenit, ndërsa kësaj here, e mitizoi atë në Kinema. Për këtë vepër, Z. Erebara, lexoi pothuajse në ilegalitet veprat e Niçes, studimet e huaja mbi Migjenin, gjë që binte ndesh me politikën zyrtare që e paraqiste pjesën Niçeane të Migjenit si një periudhë kalimtare e gjendjes shpirtërore të poetit dhe jo si burim i rëndësishëm frymëzimi. Në biseda të ndryshme ka treguar se mendimi i tij mbi këtë debat është se Migjeni ishte niçean. Ndër filma të tjerë: “Vajzat me kordele te kuqe”, 1979 (Historia e lëvizjes feministe shqiptare gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore). “Fushë e gjelbër, fushë e kuqe”, 1984 (Historia e skuadrave të futbollit të Tiranës para dhe gjatë luftës). “Një Jetë më shumë”, 1985, me bashkautor Gavrosh Haxhihysenin. (Historia e një jetimi në Tiranë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore).
Ka realizuar me dhjetëra dokumentarë gjatë karrierës së tij të gjatë. Ka përkthyer shumë vepra letrare si dhe lëndë profesionale. Njohës i thellë i estetikës së kinemasë dhe i historisë së Kinemasë. Për artikujt e panumërt është konsideruar nga miqtë e vet si një “magazinë pa inventar”. Punoi si pedagog i jashtëm për shumë vite në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë (Ish-Instituti i Lartë i Arteve). Nga përkthimet veçohen: “Ushtari i Mirë Shvejk”, (Jarosllav Hashek), përkthyer nga gjuha çeke. Romane dhe tregime të ndryshme të Karel Çapek si dhe poezi të Jarosllav Seifert (çmim nobel në Letërsi). Ka përkthyer Çelësin e Kinemasë, Çelësin e Pikturës etj., nga gjuha frënge. Një pjesë e madhe e përkthimeve janë ende në dorëshkrim. Ka përkthyer vepra të ndryshme nga letërsia italiane. Gjuhët e huaja: Çekisht, Italisht, Frengjisht, Serbokroatisht dhe pak rusisht. Gjithashtu ai ka qenë për periudhën 1993-1995 kryetar i Shoqatës Bashkësia Dibrane.

Kryetaret e SH. Bashkesia Dibrane



Hiqmet Gonxhja – Ka lindur në Tiranë më 21.04.1928 në familjen e arsimtarit veteran dhe krijuesit të muzikës së “Marshit të Djelmënisë Dibrane” dhe me tekst të Haki Sharofit, Sami Gonxhja. Ai e ka prejardhjen nga familjet më të mira dibrane të Camollarëve, Shemsibega, Jegenëve dhe Dovolanëve dhe është nip gjithashtu i Hafëz Raif Gonxhes. Ai i ka kryer studimet e larta universitare në vitet 1948-1958 në Institutin e Lartë të Gjeodezisë, Aerofotorilevimit dhe të Hartografisë në Moskë, ku diplomohet me notën “shkëlqyeshëm” si inxhinier gjeodet-hartograf. Gjatë një periudhe 45-vjeçare ai aktivizohet në disa fusha, si: 24 vjet në zbatim, 20 vjet kryetar ekspedite dhe kryeinxhinier ndërmarrje në sektorin gjeologjik dhe mbi 25 vjet si pedagog titullar i jashtëm gjatë periudhës vjeshtë –pranverë.
Hiqmet Gonxhja është autor dhe bashkautor i përpilimit të rreth 100 hartave e planeve topografike në shkallët 1: 500; 1:1,000; 1:2,000 dhe 1:5,000 të zonave më të vështira malore për llogari të kërkim-zbulimeve gjeologjike, është autor i shtatë manualeve tekniko-metodike, i dy teksteve mësimore universitare dhe i katër monografive. Autor dhe bashkautor i 6 referateve dhe 35 raporteve të ndryshme tekniko-shkencore. Autor i shumë artikujve dhe shkrimeve të ndryshme të botuara në gazeta e revista. Me gjithë moshën e thyer ai ka përgatitur për botim një libër me 125 poezi dhe si bashkautor po përgatit një libër voluminoz me mbi 1,000 faqe me titull “Mozaik i Kulturës së Përgjithshme”. Për merita të mëdha në punën e tij të gjatë dhe kontributin personal, dhe si veteran i luftës antifashiste ai është nderuar me 6 medalje e urdhra pune të klasave të ndryshme. Ai aktualisht është anëtar aktiv i Shoqatës Bashkësia Dibrane. Prof. Dr. Hyqmet GONXHIA ka qene drejtues i shoqates nga nëntor 1992-1993.