Saturday, January 9, 2021

" LAMTUMIRE INXHINIER I TALENTUAR HYSNI LAÇI"

 

IM MEMORIAM 


    " LAMTUMIRE,  INXHINIER I TALENTUAR HYSNI LAÇI ! "

 


Ing. Hysni Laçi



Nuk është aspak e  thjeshtë për të shkruar këto fjalë homazh  për njeriun e dashur të familjes, dhe shoqërisë, për kolegët dhe të gjithë komunitetin tonë. I paharuar për ne  inxhinier i talentual, fjalëmbël dhe  punëplotë, i cili u nda nga jeta, para disa ditësh.

Të gjithë e thërrisnin Hysniun, me emrin përkëdhelës Niu, pasi që në fëmijëri, por dhe në maturë dhe derisa jetoi nuk e ndryshoi karakterin e tij emocional, mendje hapur në  zgjidhjes së problematikave,  por dhe shumë më të gjëra. 

Niu ynë i dashur ishte fëmija i 5-të, i lindur  në Tiranë më 25 gusht 1955 në gjirin e një familjeje të ardhur në fillim të shekullit XX nga Dibra e madhe dhe e vendosur në Tiranë, pranë Medresesë. 

Hysni Laçi u rrit në një mjedis, ku u edukua nga dy prindër të mrekullueshëm dhe mjaft punëtorë,  nga babai i tij Xhehat Laçi dhe nana Lemanka,  vëllai i madh Agroni, dhe tri motrat. Prindërit u kujdesën që të pestë fëmijët të edukohen dhe të përgatiten e të jenë që të gjithë me arsim të lartë. Shembull për familjen, shoqërinë dhe farefisin e tyre. Nga kjo familjeje arsimdashëse dibrane dolën 5 kuadro me arsim të lartë.

Pasi mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin e Tiranës, Hysniu, u regjistrua në universitet dhe më vitin 1979 u diplomua si Inxhinier elektrik, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike të Universitetit Politeknik të Tiranës me rezultate të larta.

Miqtë dhe shokët e kursit,  në fakultetin elektrik  por dhe të jetës e përkufizojnë Hysniun si njeri me inteligjencë të sprovuar, praktik  dhe dinamik në jetë në punë dhe profesionin e tij që e kishte shumë pasion.

Do të ishin këto rezultate universitare dhe një  pune e pandalur sistematike e Hysniut, të cilat do të ndriçonin rrugëtimin e Niut  në jetën e tij si inxhinier elektrik.

Në fillim u emërua si Inxhinier elektrik në Insitutin Metalurgjik të Elbasanit, ku aty punoj nga viti 1979-1983. Puna shkencore në Insitut i krijoi mundësinë  të njihte nga afër proceset e punës praktike,  por dhe të merrte njohuri më të avancuara nga inxhinierët më me përvojë ku Niu punoj për 4 vjet në këtë Insitut.

Gjatë viteve 1983-1993 do ta gjejmë Inxhinier Hysni Laçin si Inxhinier elektrik pranë Insitutit të Studimeve dhe Projektimeve  Mekanike në Tiranë ku udhëhoqi punën projektuese  për 10 vite rresht.

Ndryshimet pluraliste e demokratike të vendit tonë do ta gjenin Inxhinier Hysni Laçin në moshën 38 vjeçare si një profesionist me diapazon të vrullshëm dhe tepër energjik, për të zhvilluar vepra më të rëndësishme për shoqërinë tonë. 

Në një faze të re të  zhvillimeve shkencore dhe bashkëkohore të probematikave në fushën e energjisë,  elekticitetit dhe politikave e programeve të reja energjitike.

Nga viti 1993 e deri më 1998 Inxhinier Hysni Laçi do të ishte drejtor drejtorie në Ministrinë e Energjisë, një stad tjetër në rritje në profesionin e tij si Inxhinier.

Kjo periudhë do të mbahet mend nga Hysniu por dhe nga kolegët e tij të ministrisë e më pas të agjensisë energjitike, si periudha më e vështirë por dhe më e bukur, pasi bashkë me vështirësitë,  lindin sfidat, debatet,  por dhe zgjidhjet e probemeve të kësaj fushe.

Gjithashtu, i shoqëruar nga kolegët e tij inxhinierë, pati mundësinë e mire që përvojën e arritur në punë dhe studime shkencore, dhe në seminare, konferenca e kongrese, mbi energjinë elektrike dhe energjinë derivative,  brenda dhe jashtë vendit, ta zbatonte së bashku me kolegë e bashkëpunëton të tij, duke arritur suksese në  sektorë  të ndryshëm të energjitikës Shqiptare.

Më pas,  Hysni Laçi, do ta gjejmë përsëri në pozicion drejtuesi pranë Agjensisë Kombëtare të Energjisë ( nga viti 1998 deri më 2006). Puna e tij e mirë u vlerësua  duke e  emëruar Hysniun si kryetar i kësaj agjensie energjitike deri në fundin e vitin 2007.

Pas vitin 2007 Hysni Laçi do ta gjejmë  për të referuar në disa fakultete të Ixhinierisë si pedagog i jashtëm, por dhe si ekspert kordinues në një sere punimesh e ciklesh shkencore pranë Universitetit të Tiranës, Prishtinës dhe të Tetovës. 

Në profesion të lirë si Inxhinier, pas vitin 2007, Hysni Laçi do të kontribuonte në mjaft projekte energjitike, studime shkencore e raporte  energjitike dhe elektrike për disa rrethe të Shqipërisisë, në Kosovë, Maqedoni dhe në Malin e Zi.

Inxhinier Hysni Laçi, ishte jo vetëm një familjar, prind i devotshëm, por dhe koleg dhe profesionist i zoti, i cili dinte t'i kordinonte raportet e jetës dhe të punës me dashamirësi, ku pesha kryesore e tij ishte emocioni, mendimi, dhe aftësia për të kontribuar me të gjitha çka kishte për të tjerët, por dhe të mendonte për shokun, kolegun, e gjithashtu për të afërmin.

Bashkëshortja Rita dhe dy fëmijët,  Xheni dhe Joni, me largimin e tij më 05 janar të 2021, në moshën 65 vjeçare, humbën jo vetëm njeriun e tyre të zemrës, por dhe shtyllën kryesore të familjes.

Kolegët inxhinierë, por dhe shoqëria, humbën jo vetëm njeriun aq të dashur e mëndjendritur, por dhe njeriun aq të dashur, që nuk e njihte hatërmbetje, dhe kudoherë i gatshëm për të mbështetur  kolegët me aftësitë e tij profesionale.

Hysni Laçi ishte dhe mbeti një vëlla i drejtë,  një shok i mirë, shembulli i njeriut me energji pozitivie, i cili ndjek fatin e heroit të lashtësisë, i cili vdes porsa arrin i pari maratonën, e në të vërtetë Hysniu ja arriti i pari maratonën e përjetësisë.

Me hidhërim komuniteti dibran i Tiranës njofton humbjen dhe i përcjell familjes, të afërmve dhe miqve të tij ngushëllimet më të përzemërta për këtë humbje të parakohëshme.

Nderim për njeriun e mirë të punës që u nda nga ne.

 

       “Të vdesësh si Hysni Laçi, do të thotë të jetosh në përjetësi”

  

      Nga   

Saimir  Shatku     

 

 

No comments:

Post a Comment