Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim kryetarin e Komunës Dibër e Madhe në Maqedoninë e Veriut, z. Hekuran Duka.Presidenti Meta, pasi u njoh me gjendjen shëndetësore të bashkëkombasve tanë dhe qytetarëve të kësaj komune në përballje me pandeminë COVID-19, e nxiti zotin Duka për nevojën e rritjes së shërbimeve cilësore dhe investimeve në infrastrukturë, me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të jetesës së të gjithë banorëve të kësaj Komune dhe në frenimin e fenomenit shqetësues të shpopullimit.Në këtë kuadër, Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka një bashkëpunim më i ngushtë me Bashkinë e Dibrës, si dhe realizimi i projekteve të përbashkëta kulturore, arsimore e sportive, që do ta forconin më shumë unitetin dhe ndjenjën e krenarisë kombëtare.Presidenti Meta e pranoi me kënaqësi ftesën e Komunës Dibër e Madhe dhe shoqatës “Bashkësia Dibrane”, për të marrë pjesë në aktivitetet që do të organizohen me rastin e 111-vjetorit të “Kongresit të Dibrës” dhe përkujtimit të kryengritjeve për liri dhe pavarësi, në nderim të përpjekjeve të lavdishme të dibranëve për mbrojtjen në çdo kohë të çështjes kombëtare.“Gjithë kombi përulet me nderim e mirënjohje ndaj kontributit të dibranëve për Lirinë dhe Pavarësinë e Atdheut, por edhe për ndikimin e madh që kanë pasur në botën dhe kulturën shqiptare.Dibra në shekuj ka qenë kështjella natyrale e lirisë së shqiptarëve dhe një nga epiqendrat më të spikatura dhe më të flakta të shqiptarizmit dhe betejave për liri.Dibranëve u kanë kënduar dhe do t’u këndojnë gjithmonë pushkët nëpër kulla sa herë do ta kërkojë interesi më i lartë i Atdheut”, – u shpreh Kreu i Shtetit.
Në këtë takim kreu i Bashkisë së Dibrës, shoqërohej nga Sekretari i Komunës së Dibrës z. Ylli Mirzo dhe Drejtori Juridik dhe i Protokollit z. Bekim Kaba.
No comments:
Post a Comment