Sunday, March 10, 2019

DOKUMENTARI PREMIERE “JETOJME NEN NJE QIELL”


Ditën e hënë, datë 04 mars 2019, në orën 18.00 në sallën “Unesko” të Muzeut Kombëtar u  shfaq premiera e dokumentarit me titull: “Jetojmë nën një qiell”, dokumentar i përgatitur nga gazetaria Mira Shkurta, në bashkëpunim me shoqatën “Bashkësia dibrane”.  Merrnin pjesë drejtues të Insitucioneve Qëndrore dhe Vendore, Këshilltari i Presidentit të Republikës z.Ylli Asllani,   Kryetari në detyrë i Komunës Dibër, Dr. Hekuran Duka, Kryetari i Këshillit të Komunës Dibër, z. Bashkim Mashkulli, Sekretari i Komunës dhe Kryetari i BDI, Dibër z. Ylli Mirzo, Kryetari i Këshilli të të Urtëve, z. Tofik Jegeni, studiues, historian dhe artistë.

              Pamje nga shfaqja e dokumentarit premierë "Jetojmë nën një qiell"

Mbas respektimit të Himnit Kombëtar, fjala e hapjes u mbajt nga sekretari i përgjithshëm i shoqatës, z. Saimir Shatku, i cili theksoi se shfaqja e këtij dokumentari është veprimtaria e parë e Shoqatës për vitin 2019. Më pas, ai e vuri theksin tek rrugëtimi historik nga Kongresi i Manastirit (1908) tek Kongresi i Dibrës me 23 korrik 1909; më tej hapësira e dokumentarin shtrihet deri në periudhën aktuale me zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kjo rrugë e gjatë për çështjen e gjuhës shqipe është shoqëruar me përpjekje të vazhdueshme e me gjak nga atdhetarë të ndershëm.

                       
Prof. Bujar Kapexhiu, Kryetar i SHBD-së duke mbajtur fjalën përshëndetëse 

Kryetari i Shoqatës “Bashkësia dibrane”, Prof. B. Kapexhiu, vuri në dukje aktivitetin e fundit të realizuar nga Shoqata me rastin e 110-vjetorit të Bashkimit Dibranë dhe në kuadrin e Vitit Jubilar të Skënderbeut, me pjesëmarrjen e disa historianëve dhe studiuesve të shquar edhe nga komuniteti dibran në Tiranë. Në fjalën e tij, z. Kapexhiu falenderoi iniciativën e gazetares Mira Shkurta, pjesë e komunitetit dibran në Tiranë për shfaqjen e dokumentarit “Jetojmë nën një qiell”, që është paraprirë edhe nga dy dokumentarë të tjerë, kushtuar Dibrës dhe dibranëve të Tiranës e të Amerikës.  Në fund të fjalës së tij, z.Kapexhiu falenderoj gazetaren Mira Shkurta, duke i bërë gjithashtu thirrje publike krijuesve dhe studiuesve dibranë që dera e shoqatës është e hapur për të gjithë.
   
                     Pamje nga shfaqja e dokumentarit "Jetojmë nën një qiell"

Fjala iu dha Kryetarit në detyrë të Komunës Dibër e Madhe, Dr. Hekuran Duka, i cili, mes emocioneve shpirtërore dhe qytetare, vlerësoi ftesën e shoqatës “Bashkësia Dibrane” për të qenë i pranishëm në këtë veprimtari, ku iu dha rasti të takohej me dibranë që jetojnë në Tiranë. Në fjalën e tij, ai e vuri theksin tek urat e bashkëpunimit dhe veprimtarive të përbashkëta mes  qytetarëve të komunës së Dibrës dhe dibranëve të Tiranës.


            Dr. Hekuran Duka, Kryetar në detyrë i Komunës Dibër duke mbajtur fjalën 

Duke qënë se promotor i dokumentarit ishte Televizioni Publik Shqiptar, në emër të këtij institucioni foli Drejtori i Përgjithshëm i TVSh, z. Th. Gëllçi. Ai vuri theksin tek vlerat komunitare dhe qytetare të gjuhës shqipe, që Mira Shkurta ka evidentuar në dokumentar.  Më pas, u shfaq përreth një orë dokumentari, i cili ngjalli emocione tek të pranishmit në sallë.

                    Fjala e gazetares së TVSH-së, znj. Mira Shkurta 

Në përfundim të materialit filmik, znj. Mira Shkurta falenderoi shoqatën “Bashkësia dibrane” për organizimin e asaj veprimtarie, për diskutimet e frytshme nga disa prej të pranishmëve, diskutime që ajo do t’i ketë parasysh në krijimtarië e saj të ardhshme.
Në fund u shtrua një kokteil.




No comments:

Post a Comment