Wednesday, December 22, 2010

Promovim libri





Libri “Dinastia Shqiptare që Sundoi Misirin” në Shoqatën Bashkësia Dibrane

Në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave në Tiranë me 18 dhjetor 2010, u prezantua përpara publikut të gjerë kryeqytetas, dashamirësve të librit, si dhe përpara komunitetit dibran që jeton në Tiranë, libri Dinastia Shqiptare që Sundoi Misirin-Egjiptin, me autor Z. Faruk Borova. Të pranishëm në këtë aktivitet promovues të librit ishin përfaqësues të Institucioneve akademike dhe shtetërore, studiues, drejtues si dhe anëtar të shoqatës “Bashkësia Dibrane”, Institutit AIITC, “Lidhja e Intelektualëve Dibranë”, si dhe nga shoqata “Tirana”.
Nderonin me pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet promovues, Shk. e Saj, Znj. Amina Gomaa, Ambasadore e Republikës Arabe të Egjiptit, Zv. Ministri i MTKRS, Znj. Suzana Turku.
Pas fjalës përshëndetëse të mbajtur nga Znj. Mira Pirdeni, Zv. Kryetare e Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, si dhe një aktiviste e njohur e të drejtave të njeriut për barazi gjinore, e cila falenderoi të gjithë të pranishmit, bëri një kronologji të aktiviteteve të shoqatës Bashkësia Dibrane ndër vite. Pas saj folën mbi përmbajtjen e librit historiani i njohur Z. Dritan Egro, ku analizoi personalitetin dhe figurën e një shtetari me një profil modern si ajo e prijësit, Muhamed Ali Pashës. Pas tij Fjalën e mori Dr. Ramiz Zekaj, Drejtori i Institutit AIITC, i cili referoi temën: “Faktori shqiptar në dobi të kombeve të tjera”, ku analizoi lindjen, zhvillimin dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit dhe të së drejtës, betejat dhe fitoret e kurorëzuara nën komandën e një prijësi me origjinë shqiptare, si M. Ali Pasha. Gjithashtu Dr. Zekaj, e konsideroi librin e Dr. Borovës, si një libër, i cili ngacmon kureshtjen intelektuale të shqiptarëve për të patur informacion mbi jetën e një plejade personalitetesh, që kanë lënë gjurmë në historinë e popullit shqiptar, veçanërisht mbi ato figura që kanë kontribuar në drejtimin e perandorive të mëdha. Më pas referoi Dr. Edvin Cami, Pedagog i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, i cili foli mbi figurën e M. Ali Pashës, si shqiptar. Më pas diskutoi rreth librit prof. i historisë së Shqipërisë, Z. Qatip Mara, me temë: “Roli i Kolonive Shqiptare në Egjipt”, ku evidentoi rolin pozitiv të plejadës së drejtuesve me origjinë shqiptare, si M. Ali Pasha, Ismail Pasha, Ibrahim Pasha, si dhe Mbreti i fundit, Faruku, të cilët kanë ndihmuar mërgatën dhe rilindasit shqiptarë, si: Jani Vreto, Thimi Mitko, Thoma Avrami, Andon Zako Cajupi, Athanas Tashko, Jani Vruho, Loni Logori, Thoma Krei, Filip Shiroka etj., për realizimin e ideve të tyre për pavarësi dhe liri. Në pamundësi për të qenë i pranishëm në promovimin e librit të Dr. Borovës, gazetari i gazetës “E Vërteta”, organ i cili botohet në nëntë gjuhë të huaja në Athinë, ia kishte deleguar referatin e tij, me temë Dinastia Shqiptare që Sundoi Misirin, e përgatitur në formën e një interviste Ashiku-Borova, ta lexonte përpara auditorit, një student nga Dibra e Madhe, Erduan Kllobuçishta.
Pas tij përshëndetën promovimin e këtij libri të Dr. Faruk Borovës, Z. Abdi Baleta, i cili theksoi “dobinë e krenarisë kombëtare për këtë figurë, që Muhamed Ali Pasha, është dhe i yni dhe një personalitet që mund të krenohet dhe vetë Egjipti”. Më pas përshëndetën aktivitetin, Znj. Suzana Turku, Zv. Ministre e TKRS e cila e konsideroj aktivitetin si një sesion shkencor të mirëfilltë që bëhet për këtë figurë kaq të madhe dhe historike si M. Ali Pasha. Më pas fjalën e mori Z. Arben Tafaj, Kryetar i Shoqatës “Tirana”, i cili falënderoi Dr. Borovën për këtë libër që i ofrohet lexuesit, por dhe evidentoi dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit mes shoqatës “Tirana” me shoqatën “Bashkësia Dibrane”, të drejtuar nga Z. Faruk Borova. Në përfundim të aktivitetit përshëndeti pjesëmarrësit duke i falënderuar përzemërsisht autori i librit “Dinastia Shqiptare që Sundoi Misirin”, si dhe Kryetari i shoqatës Bashkësia Dibrane, Z. Faruk Borova.
Aktiviteti u mbyll me një koktej të përgatitur për pjesëmarrësit nga Instituti AIITC.

No comments:

Post a Comment