Wednesday, December 1, 2010

Kryetaret e SH. Bashkesia Dibrane




Feti Borova –(1931-2005) Ai është bir i një familje të mirënjohur dibrane e vendosur qysh herët në Tiranë. Familja e tij ishte ndër të parat që vuri bazat e një prodhimtarie ekonomike moderne për Tiranën e asaj kohe. Ai lindi në vitin 1931 në rrugën e Saraçëve në Tiranë, në një mjedis banorësh tiranas e dibranë të përkushtuar për të jetuar në harmoni dhe mirënjohje me njëri-tjetrin. Shumë shpejt qysh në rininë e tij u shqua si njeri i komunikueshëm dhe i preferuar në të gjitha ambientet shoqërore në saje të përkushtimit të tij, si njeri me autoritet dhe me vlera, serioz në ndërmarrjet personale dhe kolektive, të cilat i realizonte në kohë dhe cilësisht. Pa mbushur ende 16 vjeç (1946) ushtroi misionin e mësuesit në shkollat 7-vjeçare. Në moshë shumë të re 17 vjeç ai arriti të përfaqësojë basketbollin kombëtar si anëtar i kombëtares së basketbollit nga viti 1948, duke u bërë kështu edhe një nga pionerët e këtij sporti, i cili u ngrit në nivele të admirueshme në sajë të punës edhe të Feti Borovës. Ai ishte mjeshtër shahu, ku tregoi një nivel të lartë inteligjence.
Feti Borova u diplomua në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, si dhe mbaroi Fakultetin e Historisë, gjithashtu njihte mirë gjuhët frëngjisht, italisht dhe rusisht. Ka ushtruar detyrën e pedagogut në ILKF “Vojo Kushi” në vitet: 1961-1967 dhe 1972-1975. Ai ka luajtur basketboll me ekipet e 17 Nëntorit (Tirana), Partizani e Dinamo, me skuadrën kombëtare të basketbollit 1948-1958. Ka luajtur hendboll me skuadrat e 17 Nëntorit dhe Dinamos, si dhe në shahun individual ka zënë tre herë vendin e tretë në kampionatet kombëtare.
Feti Borova ka ushtruar detyrën e trajnerit të basketbollit me skuadrat e 17 Nëntorit Tiranës për meshkuj e femra dhe të Dinamos, si dhe ka qenë trajner i Kombëtares, pra për 22 vjet ka ushtruar detyrën e trajnerit të basketbollit me mbi 100 ndeshje ndërkombëtare, ku 44 me kombëtaren. Si trajner basketbolli ka fituar të gjithë titujt kombëtarë, si dhe medalje të ndryshme në turne ndërkombëtare. Po ashtu ka ushtruar detyra të ndryshme në forumet më të larta të basketbollit, ku ka qenë president i Federatës së Basketbollit 1992-1995. Gjithashtu ka marrë dekorata të shumta, ku dallon Urdhri “Mjeshtër i Madh” i akorduar nga presidenti i Republikës më 11 korrik 2006 pas vdekjes.
Gjatë periudhës 1996-2005 ka qenë kryetar i Shoqatës Bashkësia Dibrane, ku ka luajtur rolin e organizatorit dhe ringjallësit të trashëgimisë historike-kulturore të komunitetit dibran në Tiranë. E gjithë jeta dhe veprimtaria e Feti Borovës ka mirënjohjen e të gjithëve, që e kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me të. Feti Borova, ka ndërruar jetë në vitin 2005.

No comments:

Post a Comment