Thursday, July 8, 2010
Dibra e Vogël
Historiku i Peshkopisë dhe i Dibrës së vogël
Pozita gjeografike
Rrethi i Dibrës bën pjesë në rajonin verior- veri-lindor me një reliev përgjithësisht kodrinor-malor. Pra shtrihet në Veri-lindje të Republikës së Shqipërisë në të dy anët e luginës së Drinit të Zi, duke u kufizuar në lindje nga vargmali i Korabi dhe në perëndim nga vargmalet e Lurës. Qendra e rrethit është qyteti i Peshkopisë, që është edhe qyteti i 3-të pas atij të Strugës dhe Dibrës së Madhe në Republikën e Maqedonisë. Qendra e rrethit Peshkopia shtrihet 185 km nga kryeqyteti dhe 21 km largësi nga pika e doganës së Bllatës në Maqellarë. Ky rreth është vendosur në këto koordinata gjeografike: 410 53’ 20”, dhe 410 33’ 40” gjerësi gjeografike veriore, dhe 200 34’ 50” dhe 200 07’ 00” gjatësi gjeografike lindore. Kufizohet nga kufij konvencionalë në lindje më republikën e Kosovës dhe të Maqedonisë me një gjatësi kufitarë 90 km nga të cilat 19 km janë lumorë. Në veri kufizohet më rrethin e Kukësit me 75 km vijë kufitare. Në perëndim me Mirditën 13 km vijë kufitarë dhe me rrethin e Matit me 60 km vijë kufitare. Në jug më Bulqizën 27.8 km vijë kufitare. Ky rreth ka një ndërtim të komplikuar gjeologji, që është kapur herë pas herë nga lëvizjet neotektonikë ngritëse që ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e relievit. Rrethi i Dibrës ka një reliev kodrinor-malor që varion nga 350 m (lugina e Drinit të zi) deri në 2751 në majën e Korabit. Bën pjesë në zonën klimatike mesdhetarë malore dhe mesdhetare para malore, meqenëse është pjesë përbërëse e pellgut të Drinit të zi. Ka një hidrografi të pasur me burime mbi-tokësore dhe nën-tokësore, ku dega kryesore është Drini i Zi. Dibra dallohet për shumëllojshmërinë e tokave, të cilat për shkak të relievit malor shprehen qartë. Gjejmë brezin e tokave aluvionalë rreth lumit të Drinit të Zi, të kafenjta, të murrme pyjore dhe atë livadhore malore. Në këtë takojmë breza bimorë, si: brezi i dushqeve, ahut dhe haloreve dhe kullotave alpine. Ky rreth ka një popullsi prej 75,000 banorësh të vendosur në 1088 km2 kryesisht në vendbanime të rralla e rurale. Nga pikëpamja administrative ky rreth ka në përbërjen e tij 1 bashki (Peshkopia) dhe 14 komuna.
POZITA e këtij rrethi ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kësaj zone që ka qenë here pozitiv e here negativ gjatë periudhave të ndryshme historike dhe nën ndikimin e faktorëve socialë dhe ekonomikë që kanë lënë gjurmë. Rolin e saj pozitiv ajo e ka patur kur ka shërbyer si një urë lidhëse për trevat e vendit tonë nga perëndimi në brendësi të territoreve shqiptare. Që në antikitet ka funksionuar rruga DURRËS -FUSHA e TIRANËS –DIBËR, e cila lidhte bregdetin me viset e tjera lindore. Rolin e kësaj pozite e dëshmon qartë zhvillimi social-ekonomik, pasi në 1911 Dibra ishte një qendër e rëndësishme artizanale, tregtare, ndërtimore etj., për këtë flasin qartë të dhënat e popullsisë, ku ky rreth kishte 11,000 banorë. Por roli i kësaj pozite zbehet me vendosjen e kufijve arbitrarë në 1913 ku jashtë mbetën qendra të mëdha tregtare dhe urbane për kohën, si Dibra e madhe. Pas 1913 kjo zonë vazhdoi ta luajë këtë rol, por me një intensitet më të dobët, deri kur në vitet 1945-1990 u ndërpre plotësisht kjo lidhje dhe u kthye në një faktor pengues dhe izolues për të. Pas viteve 1990 kjo zonë e rimerr rolin e saj lidhës, por me një intensitet më të vogël, por që gjithsesi vlen për t’u përmendur projekti i ndërtimit të Autostradës që do të kalonte nëpër rrugën e vjetër dhe lidhja e saj me një arterie me rrethin e Kukësit, e cila do t’i rikthente edhe një herë rëndësinë e pozitës gjeografikë të këtij rrethi së bashku me burimet që përmban dhe do ta kthente këtë rreth në një Qendër të një euro-rajoni ndërkufitar duke bërë që pozita të bëhet faktor zhvillimi.
Tipare të zhvillimit demografik
Sipas të dhënave të INSTAT në rrethin e Dibrës banojnë 75,262 banorë në 15,394 familje me rreth 4.9 anëtare për familje. Ka një dendësi 70 b/km2. Duke analizuar të dhënat del se nga rrethi i Dibrës nga viti 1990 e deri më sot janë larguar 24,106 banorë, pasi në vitin 1990 ky rreth kishte afro 99,368 banorë. Kjo popullsi është vendosur në Tiranë 67 %, Durrës 21% dhe rrethe të tjera si: Lushnjë, Fier, Lezhë, Kavajë, deri Sarandë dhe Shkodër. Vendbanimet sa vijnë e rrallohen duke u ngjitur në lartësi të larta dhe duke u larguar nga qendra e rrethit. Komunat me më pak popullsi dhe që dallohen qartë për rënie në këtë drejtim janë: Lura, Selishta, Reçi, Luznia, Muhuri etj.
Peshkopia - prejardhja e emrit vjen nga togfjalëshi: Shtëpia Peshkopit/peshkop shpaj. Është një qytet në Shqipërinë verilindore. Peshkopia ndodhet në të dy anët e Lumit Drin. Lugina e Drinit është pjesa më e ulët e rrethit. Në afërsi të Peshkopisë ndodhet dhe mali më i lartë i Shqipërisë, Mali i Korabit (2751m). Ky qytet është pjesë e rrethit të Dibrës, apo siç njihet ndryshe edhe Dibra e vogël, si dhe qendra e saj administrative.
Qyteti shtrihet në të djathtë të Drinit të Zi, në Perëndim të Malit të Deshatit, në të dy anët e përroit të Bellovës, në një reliev të butë kodrinor. Gjetjet arkeologjike në territorin e qytetit të Peshkopisë dëshmojnë për një jetë qytetare Ilire, që datohet në shek. III-II para krishtit.
Peshkopia ka qenë e banuar nga fisi Ilir i Penestëve. Banoret e hershëm të Peshkopisë banonin në kodrën që quhet Gradishta e Peshkopisë. Kjo kodër ngrihet 698 m mbi nivelin e detit dhe shtrihet në Perëndim të fshatit Bugjenec, në Veri të fushës së Dobrovës dhe në Jug të përroit të Bellovës. Aty nga mesi i viteve 527 – 560, Perandoria e Lindjes për t’u mbrojtur nga fiset barbare ngriti një sistem kështjellash vigane ushtarake nga Tuna në Helladë. Në këtë kohë një kështjellë u ngrit dhe në Gradishtën e sotme të Peshkopisë. Meqë gjuha zyrtare në këtë kohë, në Perandorinë e Lindjes ishte greqishtja bizantine, historishkruesi i perandorit Justinian, Prokopi i Cezaresë, e ka përkthyer kalanë – qytezë Ilire KUNORE në STEFANIAK. “Një kështjellë e re, - ka shkruar studiuesi autoritar kroat, Milan Shuflai,- me emrin grek, asht Stefaniakon, prej të cilit merr emrin e vet Peshkopia Shqiptare e mëvonshme”. Kjo kala Ilire ka një sipërfaqe prej 1.5 ha (250m lindje – perëndim dhe 60m veri – jug). Në vitin 1020, Dibra fiton statusin e një qendre episkopate, që në burimet bizantine njihet me emrin Episkopata Stefaniakes. Qendra e parë e Episkopatës së Dibrës ka qenë Peshkopia. Pavarësisht se katedra episkopale e Dibrës ndërroi seli edhe dy here të tjera, ajo i dha emrin qytetit të sotëm të Peshkopisë, duke ia lënë emrin grek Stefaniakon analeve te historisë. LOKALIZIMI i Stefaniakes në Gradishtën e sotme të Peshkopisë domosdoshmerisht zgjati duart ne onomastikën dhe toponiminë historike ne lidhje me emrin “Shqefen” dhe “Peshkopi”. Emri “Shqefën” patronim, që sot e mban një fis përreth Stefaniakes së dikurshme, është një transformim nga emri antik Stefaniak ne Shqefën. Pra kemi përputhje fonetike dhe territoriale të këtyre dy emrave topike Stefaniak dhe Shqefën. Edhe emri Peshkopi është gjithashtu një transformim fonetik i emrit “peshkopatë”, të kishës së Stefaniakes, e ndërtuar më 1020, në mëhallën e sotme “Bulke” të Dobrovës. Edhe në këtë rast kemi përputhje fonetike me atë territoriale. Në këtë vit Peshkopia fitoi “statusin” e një kuvendi. Në hartat bullgare të shek. XI-XIV, Peshkopia shënohet me emrin “Presolengrad”, që do të thotë kryevend. Më vonë Episkopata e Stefaniakes nis të quhet Kisha e Shqefnit, por dhe Kisha e Bulkes.
Ne vitin 1864 Turqia Osmane bëri një organizim të ri administrativ. Dibra u bë qendër administrative e sanxhakut, ndërsa si trevë ndahej në tri kaza: Dibra e Epërme me qendër Oranikun, Dibra e Poshtme me qendër Peshkopinë dhe Reka me qendër Rostushën. Pavarësisht se Peshkopia u bë qendër e kazasë së Dibrës së Poshtme, ajo ndryshonte shumë pak nga fshatrat përreth. Në vitin 1873 në Peshkopi qe’ ngritur një kazerme dy katesh, që strehonte deri në 800 vetë. Qenë ngritur dyqane në anën e djathtë të përroit të Bellovës dhe ishte vendosur një linjë telefonike me Oranikun (Shehrin e Dibrës), që ishte qendër administrative e sanxhakut të Dibrës. Në vitin 1913 në qytetin e Peshkopisë vërehet një zhvillim i mirë tregtar. Numëroheshin 26 dyqane, disa opingarë, orëndreqës, furrxhinj etj., që i kishin dyqanet në të dy anët e sheshit të sotëm “Bajram CURRI”.
Historia e Bashkisë Peshkopi
Qeveria e Sulejman Delvinës me vendimin Nr. 424, datë 4 Korrik 1920 dekretoi krijimin e prefekturës së Drinit me qendër në Peshkopi. Ne Prefekturën e Drinit do të hynin nënprefektura e Lumës, Hasit dhe Homeshit. Prefekt emërohet Ramiz Bej Dibra, nipi i Iljaz Pashe Dibrës (QOKUT). Me 17 Gusht 1920, prefekti i Drinit, Ramiz bej Dibra, bashke me administratën u vendosen ne qytetin e Peshkopisë. Nga viti 1920, kur u ngrit administrata e parë vendore shqiptare e në vazhdim, qyteti i Peshkopisë ka luajtur një rol të rëndësishëm, si qendër administrative, arsimore, kulturore, shëndetësore, industriale e rrethit të Dibrës.
Ne vitet 20 e 30 të shek. të kaluar Bashkia e Peshkopisë kishte një personel shumë të reduktuar. Në Shkurt të vitit 1934 personeli i bashkisë përbëhej prej 7 vetash: kryetari i bashkisë, që paguhej 250 franga ar në muaj, 2. sekretari 160fr. ar, 3. arkëtari 100 fr. ar, 4. polici për mbledhjen e taksave 90 fr. ar, 5. konaktori 120 fr. ar, 6. Mami (infermiere) 100 fr. ar dhe 7. nëpunësi i gjendjes civile 160 fr. ar/muaj. Shtimi i personelit të bashkisë bëri që të ngrihej dhe ndërtesa e bashkisë, e cila u inaugurua më 20 Maj 1936.
Me 16 Shtator 1938 u zhvilluan zgjedhjet për Këshillin Bashkiak të qytetit të Peshkopisë. Më të votuarit qene: Faik SHEHU me 129 vota, Haki SHEHU 140 vota, Hysen SHEHU 130 vota, Munir SHEHI 119, Xhevdet Kumbarçe 138, Fiqiri SHEHU 129 vota. Më 15 Prill trupat fashiste italiane pasi pushtuan qytetin e Kukësit pushtuan dhe qytetin e Peshkopisë. Me pushtimin e qytetit te Peshkopisë Italia fashiste e Benito Musolinit kreu pushtimin e të gjitha qendrave te prefekturave të Shqipërisë. Qyteti nisi te qeverisej sipas ligjeve te luftës. Banoret përjetuan nje gjendje te rende politike, ekonomike, psikologjike e shoqërore. Që me 4 Korrik 1944 ishte zgjedhur Këshilli Nacionalçlirimtar i qytetit të Peshkopisë me kryetar Ramadan SHEHU, nënkryetar Rasim FETAHU dhe anëtar Hashim XHELADINI, Hysen SHEHU, Kadri TOSKA, ISA VLESHA, Abdurrahman AVDIJA dhe Maksut NUREDINI. Nga viti 1944 dhe deri më 1992 Peshkopia do të provonte emërtesën administrative lokalitet dhe Këshilli i Qytetit dhe nga 1992 e në vazhdim qyteti është Bashki.
Një nga projektet më të rëndësishme dhe që do t’i jepte një zhvillim të madh e të fuqishëm të gjithë rajonit dhe qyteteve të Dibrës e të Peshkopisë do të ishte përfundimi i rrugës së Arbërit.
Arti dhe kultura
Arti dhe kultura ne qytetin e Peshkopisë janë zhvilluar ndër vite. Piktura ka një domethënie të rëndësishme në artin qytetar në Peshkopi. Gjithashtu kënga, muzika dhe literatura kanë ekzistuar që në kohë të hershme. Këngën dhe muzikën e mbështet ndër vite një qendër kulturore e rëndësishme për fëmijët e quajtur "Qendra Kulturore e Fëmijëve". Kjo qendër ndër vite ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e artit dhe kulturës, por rëndësi e madhe i është dhënë muzikës. Mësues profesionistë midis tyre përmendim: Xhevat Fanen, Qani Mandrin, Mimoza Bulkun, Hysen Seferin, Safat Plakun etj., kanë organizuar ndër vite një sërë festivalesh në shkallë qyteti e rrethi. Me profesionalizmin e tyre kane përgatitur një sërë talentesh të reja. Gjithashtu kjo qendër shquhet edhe për akrobatet e saj të talentuar me në krye mjeshtrin Agron Strazimiri, të cilët i kanë sjellë publikut dibran ndër vite emocione të bukura. Gjithashtu në këtë qendër kulturore për fëmijët është edhe një grup vallesh. Por në këtë qendër zhvillohen edhe kurse pa pagese për fëmijë të talentuar pas Matematikës, Letërsisë, Gjuhëve te huaja etj., me profesionistë si Bashkim Hoxha, Hysni Loka etj.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
ReplyDelete