Wednesday, July 7, 2010

Asambleja Zgjedhore


Shoqata “Bashkësia Dibrane” dhe mbledhja

e Asamblesë Zgjedhore

Më datën 10 qershor 2010, në orën 18.00 në ambientet e Akademisë së Shkencave në Tiranë në një auditor me pjesëmarrës të fushave të ndryshme, si intelektual, qytetar me origjinë dibrane, student etj. u organizua mbledhja e Asamblesë së shoqatës “Bashkësia Dibrane”. Fjalën e rastit e mbajti kryetari i shoqatës, Prof. Dr. Arian Kadiu, i cili bëri një përmbledhje të punës 4-vjeçare në drejtimin e shoqatës, si dhe qëllimet e saj. Pas tij fjalën e morri Z. Bujar Kapexhiu, ku ndër të tjera ngriti në piedestal rolin dhe kontributin e kryetarit të mëparshëm të shoqatës “Mjeshtrin e Madh të Sporteve Prof. Feti Borova”, i cili humbi jetën në mënyrë aksidentale.

Zoti Kapexhiu, theksoi se si Prof. Borova, është tepër vështirë që të vijnë drejtues të tillë të shoqatës, ku me aq pasion dhe zell ai e drejtoi për disa vjet shoqatën me aktivitete mjaft të rëndësishme. Më pas folën dhe zotërinjtë Islam Sharofi, që dha disa ide mbi rolin e shoqatës ndër vite, si dhe Dr. Naim Kaba, i cili theksoi misionin atdhetar, që kanë shoqatat me karakter patriotik dhe kombëtar në këto kohë. Ai theksoi duke i bërë dhe një kritikë shoqatës “Bashkësia Dibrane”, se ajo duhet të bashkëpunojë më ngushtë me shoqatat e tjera simotra, jo vetëm në Shqipëri, edhe me ato që ndodhen në trojet etnike shqiptare, si dhe ato që gjenden në diasporë (si SHBA, Kanada, Australi dhe në Evropë) për të qenë më bashkëpunues me njëri-tjetrin për të mirën e përbashkët, por edhe për shkëmbime dypalëshe e shumëpalëshe me shoqatat analoge.

I fundit i cili mbylli diskutimet e lira ishte Prof. Dr. Hyqmet Gonxhja, i cili ka qenë edhe kryetari i parë i shoqatës. Ai hodhi idenë e amendimit të statutit të shoqatës, duke ndryshuar ato dispozita të cilat janë arkaike për kohën, si dhe pasqyrimin në Statutin e Shoqatës Bashkësia Dibrane, me norma të reja që i përshtaten situatës aktuale, por dhe qëllimit dhe synimeve bashkëkohore të shoqatës. Për këtë qëllim Prof. Gonxhja, kishte përgatitur dhe një projekt statut (draft të ri për shoqatën), të cilin ia propozoi kryetarit në detyrë dhe anëtarëve të tjerë të kryesisë së shoqatës.

Më pas rendi i ditës vazhdoi me nominimin e emrave dhe të CV-ve të anëtarëve të rinj të kryesisë së shoqatës, të cilët u votuan në mënyrë të hapur nga pjesëmarrësit.
Më pas u paraqitën edhe kandidaturat për postin e kryetarit të shoqatës “Bashkësia Dibrane”, ku figura më e nominuar dhe që mori më shumë vota ishte ajo e ish-diplomatit shqiptar, Dr. Faruk Borova. Ndërsa në pozicionin e sekretarit të përgjithshëm të shoqatës u miratua z. Roald A. Hysa, me profesion gazetar. Ndërsa në postin e nënkryetarit të shoqatës u miratua Znj. Mira Pirdeni, me një eksperiencë disa vjeçare në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të gruas dhe barazisë gjinore në Shqipëri. Gjithashtu edhe z. Avni Ndreu u propozua për nënkryetar të shoqatës.

U ra dakort unanimisht nga të pranishmit, se mbledhja e radhës së Shoqatës të bëhej më dt. 21 qershor 2010, në ora 18.00, ku do të procedohej me amendimin e statutit të shoqatës sipas propozimit të Prof. Hyqmet Gonxhes, por dhe me përcaktimin e kalendarin e programeve dhe aktiviteteve të shoqatës, si dhe me ndarjen e departamenteve dhe detyrave të Kryesisë së Shoqatës.

Nga ana e tij kryetari i porsazgjedhur i shoqatës, Dr. Borova, falënderoi të pranishmit për besimin që patën tek ai, duke e votuar si kryetar të shoqatës, por dhe duke falënderuar rolin dhe kontributin e kryesisë së shoqatës ndër vite. Gjithashtu ai shprehu se bashkarisht kemi shumë detyra të rëndësishme për të relizuar, kur ndodhemi përpara synimeve të mëdha si p.sh: “Rruga e Arbërit“, theksoi Z. Borova, e cila ka si qëllim të afrojë përreth 75 min. Dibrën e Madhe me Tiranën, por dhe si një mundësi më shumë për të bashkuar trojet shqipfolëse në një komb dhe në një gjuhë të vetme.

Kryetari

Dr. Faruk Borova

No comments:

Post a Comment