Thursday, July 29, 2010

Takime


Dr. BOROVA dhe Konsulli FIRERA
“ Dibra, një rajon ekonomik tepër i sigurtë ”

Përgatiti: Saimir Shatku, MA.

Kryetari i Shoqatës Bashkësia Dibrane, Dr. Faruk BOROVA, ditën e premte në dt. 23 Korrik 2010, priti në një takim kortezial në Tiranë, Konsullin e Torinos ( Rajoni i Piemontes-Itali) Dr. Giovanni FIRERA. Në këtë takim miqësor dhe dashamirës, Dr. Faruk Borova, i bëri një rezyme konsullit Firera mbi veprimtarisë e shoqatës Bashkësia Dibrane, si dhe historikun e krijimit të saj. E iniciuar nga një grup intelektualësh Dibrane të cilët jetonin në Tiranë, u themeluar kjo shoqatë me karakter kulturor dhe patriotik, theksoi Z. Borova. Qëllimi dhe motivet e kësaj shoqata janë shpirti dhe zemra tek të parët tanë, si dhe tek qyteti i Dibrës së Madhe. Eshtë detyrë e secilit prej nesh që të ndihet krenar, dhe i motivuar për vendlindjen e tij, e të japi qoftë dhe një kontribut modest për zhvillimin social, ekonomik dhe kulturor të saj. Ndërsa konsulli Firera, i shprehu dëshirën dhe vullnetin e tij të plotë për të bashkëpunuar seriozisht me kryetarin Borova, si dhe me shoqatën Bashkësia Dibrane. “Ju keni një margaritar tepër të çmuar, që Zoti e ka paisur me të gjitha cilësitë natyrore”.
Pjesa e verilindjes së Shqipërisë, e sidomos Dibra, ka nevojë për investime konkrete dhe hapje të vendeve të reja pune. Konsulli Firera, mori përsipër lobimin e tij, duke u lidhur me sipërmarrës Torines, e Piemontez, të cilët të bëjnë të mundur thithjen e investimeve konkrete për zonën e Dibrës. Z. Firera, theksoi se në Rajonin e Piemontes, ekziston një komunitet shqiptar por dhe dibranë të cilët me punën e tyre të ndershme janë bërë sipërmarrës dhe bismesmen të suksesshëm, të cilët kanë aftësi të investojnë për projektet tuaja. Kryetari Borova e njohu Konsullin e Torinos, dhe me investimet konkrete nga ana e qeverisë Shqiptare. Kështu theksoi Z. Borova, një fond i tërë nëpërmjet Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, është vënë në dispozicion nga ana e qeverisë, për ndërtimin e një vepre kolosale për kombin tonë, “Rrugën e Arbërit”. Me realizimin e kësaj rruge kombëtare Tirana afrohet më shumë se kurrë me Dibrën e Madhe dhe me trevat e tjera shqipfolëse të Maqedonisë. Konsulli i Torinos, Z. Firera, ndër të tjera foli dhe mbi impementimin sa më shpejt të projekteve dhe iniciativave me karakter ekonomiko-social që do ti propozohen nga ana e shoqatës Bashkësia Dibrane, si dhe nga ekspertët e saj. Do ta kthejmë Dibrën dhe zonat e saj përreth në një rajon të fuqishmëm ekonomik dhe imprenditorial, theksoi konsulli Firera. Nga ana tjetër theksoi në këtë diskutim Kryetari i Shoqatës, Z. Borova se ndërtimi me procedura të përshpejtuara i “Rrugës së Arbërit”, do të potencoi dhe projekte mjaft ambicioze dhe në kuadrin universitar dhe kulturor, duke ditur faktin se banorët e këtyre zonave janë njerëz arsimdashës dhe tepër të motivuar për dije dhe kultur shkencore. Herën tjetër do të kthehem në Shqipëri theksoi Konsulli Firera, me sipërmarrës industrialë, të cilët shfaqin interes të vërtetë për këtë zone. Takimi u mbyll me shtrëngimin e duarve mes Kryetarit të Shoqatës dhe Konsullit të Torinos, si dhe duke vendosur dimensione të reja bashkëpunuese.

Thursday, July 8, 2010

Dibra e Vogël



Historiku i Peshkopisë dhe i Dibrës së vogël

Pozita gjeografike
Rrethi i Dibrës bën pjesë në rajonin verior- veri-lindor me një reliev përgjithësisht kodrinor-malor. Pra shtrihet në Veri-lindje të Republikës së Shqipërisë në të dy anët e luginës së Drinit të Zi, duke u kufizuar në lindje nga vargmali i Korabi dhe në perëndim nga vargmalet e Lurës. Qendra e rrethit është qyteti i Peshkopisë, që është edhe qyteti i 3-të pas atij të Strugës dhe Dibrës së Madhe në Republikën e Maqedonisë. Qendra e rrethit Peshkopia shtrihet 185 km nga kryeqyteti dhe 21 km largësi nga pika e doganës së Bllatës në Maqellarë. Ky rreth është vendosur në këto koordinata gjeografike: 410 53’ 20”, dhe 410 33’ 40” gjerësi gjeografike veriore, dhe 200 34’ 50” dhe 200 07’ 00” gjatësi gjeografike lindore. Kufizohet nga kufij konvencionalë në lindje më republikën e Kosovës dhe të Maqedonisë me një gjatësi kufitarë 90 km nga të cilat 19 km janë lumorë. Në veri kufizohet më rrethin e Kukësit me 75 km vijë kufitare. Në perëndim me Mirditën 13 km vijë kufitarë dhe me rrethin e Matit me 60 km vijë kufitare. Në jug më Bulqizën 27.8 km vijë kufitare. Ky rreth ka një ndërtim të komplikuar gjeologji, që është kapur herë pas herë nga lëvizjet neotektonikë ngritëse që ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e relievit. Rrethi i Dibrës ka një reliev kodrinor-malor që varion nga 350 m (lugina e Drinit të zi) deri në 2751 në majën e Korabit. Bën pjesë në zonën klimatike mesdhetarë malore dhe mesdhetare para malore, meqenëse është pjesë përbërëse e pellgut të Drinit të zi. Ka një hidrografi të pasur me burime mbi-tokësore dhe nën-tokësore, ku dega kryesore është Drini i Zi. Dibra dallohet për shumëllojshmërinë e tokave, të cilat për shkak të relievit malor shprehen qartë. Gjejmë brezin e tokave aluvionalë rreth lumit të Drinit të Zi, të kafenjta, të murrme pyjore dhe atë livadhore malore. Në këtë takojmë breza bimorë, si: brezi i dushqeve, ahut dhe haloreve dhe kullotave alpine. Ky rreth ka një popullsi prej 75,000 banorësh të vendosur në 1088 km2 kryesisht në vendbanime të rralla e rurale. Nga pikëpamja administrative ky rreth ka në përbërjen e tij 1 bashki (Peshkopia) dhe 14 komuna.

POZITA e këtij rrethi ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kësaj zone që ka qenë here pozitiv e here negativ gjatë periudhave të ndryshme historike dhe nën ndikimin e faktorëve socialë dhe ekonomikë që kanë lënë gjurmë. Rolin e saj pozitiv ajo e ka patur kur ka shërbyer si një urë lidhëse për trevat e vendit tonë nga perëndimi në brendësi të territoreve shqiptare. Që në antikitet ka funksionuar rruga DURRËS -FUSHA e TIRANËS –DIBËR, e cila lidhte bregdetin me viset e tjera lindore. Rolin e kësaj pozite e dëshmon qartë zhvillimi social-ekonomik, pasi në 1911 Dibra ishte një qendër e rëndësishme artizanale, tregtare, ndërtimore etj., për këtë flasin qartë të dhënat e popullsisë, ku ky rreth kishte 11,000 banorë. Por roli i kësaj pozite zbehet me vendosjen e kufijve arbitrarë në 1913 ku jashtë mbetën qendra të mëdha tregtare dhe urbane për kohën, si Dibra e madhe. Pas 1913 kjo zonë vazhdoi ta luajë këtë rol, por me një intensitet më të dobët, deri kur në vitet 1945-1990 u ndërpre plotësisht kjo lidhje dhe u kthye në një faktor pengues dhe izolues për të. Pas viteve 1990 kjo zonë e rimerr rolin e saj lidhës, por me një intensitet më të vogël, por që gjithsesi vlen për t’u përmendur projekti i ndërtimit të Autostradës që do të kalonte nëpër rrugën e vjetër dhe lidhja e saj me një arterie me rrethin e Kukësit, e cila do t’i rikthente edhe një herë rëndësinë e pozitës gjeografikë të këtij rrethi së bashku me burimet që përmban dhe do ta kthente këtë rreth në një Qendër të një euro-rajoni ndërkufitar duke bërë që pozita të bëhet faktor zhvillimi.

Tipare të zhvillimit demografik
Sipas të dhënave të INSTAT në rrethin e Dibrës banojnë 75,262 banorë në 15,394 familje me rreth 4.9 anëtare për familje. Ka një dendësi 70 b/km2. Duke analizuar të dhënat del se nga rrethi i Dibrës nga viti 1990 e deri më sot janë larguar 24,106 banorë, pasi në vitin 1990 ky rreth kishte afro 99,368 banorë. Kjo popullsi është vendosur në Tiranë 67 %, Durrës 21% dhe rrethe të tjera si: Lushnjë, Fier, Lezhë, Kavajë, deri Sarandë dhe Shkodër. Vendbanimet sa vijnë e rrallohen duke u ngjitur në lartësi të larta dhe duke u larguar nga qendra e rrethit. Komunat me më pak popullsi dhe që dallohen qartë për rënie në këtë drejtim janë: Lura, Selishta, Reçi, Luznia, Muhuri etj.

Peshkopia - prejardhja e emrit vjen nga togfjalëshi: Shtëpia Peshkopit/peshkop shpaj. Është një qytet në Shqipërinë verilindore. Peshkopia ndodhet në të dy anët e Lumit Drin. Lugina e Drinit është pjesa më e ulët e rrethit. Në afërsi të Peshkopisë ndodhet dhe mali më i lartë i Shqipërisë, Mali i Korabit (2751m). Ky qytet është pjesë e rrethit të Dibrës, apo siç njihet ndryshe edhe Dibra e vogël, si dhe qendra e saj administrative.
Qyteti shtrihet në të djathtë të Drinit të Zi, në Perëndim të Malit të Deshatit, në të dy anët e përroit të Bellovës, në një reliev të butë kodrinor. Gjetjet arkeologjike në territorin e qytetit të Peshkopisë dëshmojnë për një jetë qytetare Ilire, që datohet në shek. III-II para krishtit.
Peshkopia ka qenë e banuar nga fisi Ilir i Penestëve. Banoret e hershëm të Peshkopisë banonin në kodrën që quhet Gradishta e Peshkopisë. Kjo kodër ngrihet 698 m mbi nivelin e detit dhe shtrihet në Perëndim të fshatit Bugjenec, në Veri të fushës së Dobrovës dhe në Jug të përroit të Bellovës. Aty nga mesi i viteve 527 – 560, Perandoria e Lindjes për t’u mbrojtur nga fiset barbare ngriti një sistem kështjellash vigane ushtarake nga Tuna në Helladë. Në këtë kohë një kështjellë u ngrit dhe në Gradishtën e sotme të Peshkopisë. Meqë gjuha zyrtare në këtë kohë, në Perandorinë e Lindjes ishte greqishtja bizantine, historishkruesi i perandorit Justinian, Prokopi i Cezaresë, e ka përkthyer kalanë – qytezë Ilire KUNORE në STEFANIAK. “Një kështjellë e re, - ka shkruar studiuesi autoritar kroat, Milan Shuflai,- me emrin grek, asht Stefaniakon, prej të cilit merr emrin e vet Peshkopia Shqiptare e mëvonshme”. Kjo kala Ilire ka një sipërfaqe prej 1.5 ha (250m lindje – perëndim dhe 60m veri – jug). Në vitin 1020, Dibra fiton statusin e një qendre episkopate, që në burimet bizantine njihet me emrin Episkopata Stefaniakes. Qendra e parë e Episkopatës së Dibrës ka qenë Peshkopia. Pavarësisht se katedra episkopale e Dibrës ndërroi seli edhe dy here të tjera, ajo i dha emrin qytetit të sotëm të Peshkopisë, duke ia lënë emrin grek Stefaniakon analeve te historisë. LOKALIZIMI i Stefaniakes në Gradishtën e sotme të Peshkopisë domosdoshmerisht zgjati duart ne onomastikën dhe toponiminë historike ne lidhje me emrin “Shqefen” dhe “Peshkopi”. Emri “Shqefën” patronim, që sot e mban një fis përreth Stefaniakes së dikurshme, është një transformim nga emri antik Stefaniak ne Shqefën. Pra kemi përputhje fonetike dhe territoriale të këtyre dy emrave topike Stefaniak dhe Shqefën. Edhe emri Peshkopi është gjithashtu një transformim fonetik i emrit “peshkopatë”, të kishës së Stefaniakes, e ndërtuar më 1020, në mëhallën e sotme “Bulke” të Dobrovës. Edhe në këtë rast kemi përputhje fonetike me atë territoriale. Në këtë vit Peshkopia fitoi “statusin” e një kuvendi. Në hartat bullgare të shek. XI-XIV, Peshkopia shënohet me emrin “Presolengrad”, që do të thotë kryevend. Më vonë Episkopata e Stefaniakes nis të quhet Kisha e Shqefnit, por dhe Kisha e Bulkes.
Ne vitin 1864 Turqia Osmane bëri një organizim të ri administrativ. Dibra u bë qendër administrative e sanxhakut, ndërsa si trevë ndahej në tri kaza: Dibra e Epërme me qendër Oranikun, Dibra e Poshtme me qendër Peshkopinë dhe Reka me qendër Rostushën. Pavarësisht se Peshkopia u bë qendër e kazasë së Dibrës së Poshtme, ajo ndryshonte shumë pak nga fshatrat përreth. Në vitin 1873 në Peshkopi qe’ ngritur një kazerme dy katesh, që strehonte deri në 800 vetë. Qenë ngritur dyqane në anën e djathtë të përroit të Bellovës dhe ishte vendosur një linjë telefonike me Oranikun (Shehrin e Dibrës), që ishte qendër administrative e sanxhakut të Dibrës. Në vitin 1913 në qytetin e Peshkopisë vërehet një zhvillim i mirë tregtar. Numëroheshin 26 dyqane, disa opingarë, orëndreqës, furrxhinj etj., që i kishin dyqanet në të dy anët e sheshit të sotëm “Bajram CURRI”.

Historia e Bashkisë Peshkopi
Qeveria e Sulejman Delvinës me vendimin Nr. 424, datë 4 Korrik 1920 dekretoi krijimin e prefekturës së Drinit me qendër në Peshkopi. Ne Prefekturën e Drinit do të hynin nënprefektura e Lumës, Hasit dhe Homeshit. Prefekt emërohet Ramiz Bej Dibra, nipi i Iljaz Pashe Dibrës (QOKUT). Me 17 Gusht 1920, prefekti i Drinit, Ramiz bej Dibra, bashke me administratën u vendosen ne qytetin e Peshkopisë. Nga viti 1920, kur u ngrit administrata e parë vendore shqiptare e në vazhdim, qyteti i Peshkopisë ka luajtur një rol të rëndësishëm, si qendër administrative, arsimore, kulturore, shëndetësore, industriale e rrethit të Dibrës.
Ne vitet 20 e 30 të shek. të kaluar Bashkia e Peshkopisë kishte një personel shumë të reduktuar. Në Shkurt të vitit 1934 personeli i bashkisë përbëhej prej 7 vetash: kryetari i bashkisë, që paguhej 250 franga ar në muaj, 2. sekretari 160fr. ar, 3. arkëtari 100 fr. ar, 4. polici për mbledhjen e taksave 90 fr. ar, 5. konaktori 120 fr. ar, 6. Mami (infermiere) 100 fr. ar dhe 7. nëpunësi i gjendjes civile 160 fr. ar/muaj. Shtimi i personelit të bashkisë bëri që të ngrihej dhe ndërtesa e bashkisë, e cila u inaugurua më 20 Maj 1936.
Me 16 Shtator 1938 u zhvilluan zgjedhjet për Këshillin Bashkiak të qytetit të Peshkopisë. Më të votuarit qene: Faik SHEHU me 129 vota, Haki SHEHU 140 vota, Hysen SHEHU 130 vota, Munir SHEHI 119, Xhevdet Kumbarçe 138, Fiqiri SHEHU 129 vota. Më 15 Prill trupat fashiste italiane pasi pushtuan qytetin e Kukësit pushtuan dhe qytetin e Peshkopisë. Me pushtimin e qytetit te Peshkopisë Italia fashiste e Benito Musolinit kreu pushtimin e të gjitha qendrave te prefekturave të Shqipërisë. Qyteti nisi te qeverisej sipas ligjeve te luftës. Banoret përjetuan nje gjendje te rende politike, ekonomike, psikologjike e shoqërore. Që me 4 Korrik 1944 ishte zgjedhur Këshilli Nacionalçlirimtar i qytetit të Peshkopisë me kryetar Ramadan SHEHU, nënkryetar Rasim FETAHU dhe anëtar Hashim XHELADINI, Hysen SHEHU, Kadri TOSKA, ISA VLESHA, Abdurrahman AVDIJA dhe Maksut NUREDINI. Nga viti 1944 dhe deri më 1992 Peshkopia do të provonte emërtesën administrative lokalitet dhe Këshilli i Qytetit dhe nga 1992 e në vazhdim qyteti është Bashki.
Një nga projektet më të rëndësishme dhe që do t’i jepte një zhvillim të madh e të fuqishëm të gjithë rajonit dhe qyteteve të Dibrës e të Peshkopisë do të ishte përfundimi i rrugës së Arbërit.

Arti dhe kultura
Arti dhe kultura ne qytetin e Peshkopisë janë zhvilluar ndër vite. Piktura ka një domethënie të rëndësishme në artin qytetar në Peshkopi. Gjithashtu kënga, muzika dhe literatura kanë ekzistuar që në kohë të hershme. Këngën dhe muzikën e mbështet ndër vite një qendër kulturore e rëndësishme për fëmijët e quajtur "Qendra Kulturore e Fëmijëve". Kjo qendër ndër vite ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e artit dhe kulturës, por rëndësi e madhe i është dhënë muzikës. Mësues profesionistë midis tyre përmendim: Xhevat Fanen, Qani Mandrin, Mimoza Bulkun, Hysen Seferin, Safat Plakun etj., kanë organizuar ndër vite një sërë festivalesh në shkallë qyteti e rrethi. Me profesionalizmin e tyre kane përgatitur një sërë talentesh të reja. Gjithashtu kjo qendër shquhet edhe për akrobatet e saj të talentuar me në krye mjeshtrin Agron Strazimiri, të cilët i kanë sjellë publikut dibran ndër vite emocione të bukura. Gjithashtu në këtë qendër kulturore për fëmijët është edhe një grup vallesh. Por në këtë qendër zhvillohen edhe kurse pa pagese për fëmijë të talentuar pas Matematikës, Letërsisë, Gjuhëve te huaja etj., me profesionistë si Bashkim Hoxha, Hysni Loka etj.

Dibra e Madhe


Historik i shkurtër i qytetit të Dibrës

Pak histori
Emri i Dibrës përmendet që nga shekulli i pestë para erës sonë nga Herodoti, e më vonë në shekullin e parë të erës sonë nga Straboni dhe Plini. Këta përmendin fisin Ilir, fisin e Doberëve, të cilët themeluan qytetin e tyre me emrin Dober. Ptolomeu në shekullin e dytë të erës sonë konfirmon në hartat e tija planin e qytetit të quajtur Dober apo Doberos dhe banorët e tij Doberët. Hulumtimet arkeologjike dhe historike të deritanishme konfirmojnë se Dibra është pasardhësi i qytetit të Doberos, prej nga rrjedh dhe emri i sotëm Dibër. Dibra ka qenë qendër e njohur tregtare dhe e artizanatit në të kaluarën dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në historinë e këtij rajoni. Më vitin 1502 njihet si qendër e rëndësishme qytetare. Në vitet 30-40 të shek. XIX, ka afro 8400 banorë dhe 250 dyqane, dhe ishte një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike. Deri në vitin 1911 Dibra ka qenë një nga vendet më të zhvilluara në regjion si nga ekonomia, artizanatet, tregtia, ndërtimet dhe arhitek-turën e saj të veçantë por edhe në planin kulturo-social. Në këtë kohe Dibra numëronte 11.000 banorë dhe 462 shitore. Por mbas turbullirave dhe Luftërave Ballkanike ky vend e humbi rëndësinë e vet, ashtu që sot është një nga vendet më të pazhvilluara ne Maqedoni.

Ekonomia
Komuna e Dibrës radhitet në rendin e komunave të pazhvilluara. Si veprimtari kryesore ekonomike janë bujqësia dhe blegtoria. Sipërfaqja e përgjithshme agrare në komunën e Dibrës përfshin 7.708 ha nga e cila tokë 33.4% është tokë e punueshme, kullosat përfshihen me 22%, ndërsa me pyje përfshihen 44.6%. Si pasuri natyrore të qytetit mund të përmendim ujërat më të njohura termo-minerale në Evropë, rezervat e mëdha të gipsit, si dhe liqenin hidroakumulues si burim energjie. Industria ka qenë promotori kryesor i proceseve pozitive të zhvillimit të ekonomisë në komunën e Dibrës.

Demografia
Sipas të dhënave statistikore në vitin 1994 në Komunën e Dibrës jetojnë 17.588 banorë nga të cilët 77% jetojnë në qytetin Dibër ndërsa 23% jetojnë nëpër fshatrat përreth qytetit. Sipas strukturës nacionale në komunë dominon popullata Shqiptare me 80%, Maqedonas ka 18%, dhe të tjerë 2%.
Sipas regjistrimit të vitit 2002 Dibra kishte 14 561 banorë.
Kombësia gjithsej
maqedonas 1 054 (7,24%)
shqiptarë 10 768 (73,95%)
turq 1 415
romë 1 079
vlleh 2
serb 22
boshnjakë 2
të tjerë 219
Nga ata që u deklaruan si turq 98% prej tyre si gjuhë amtare përmendën maqedonishten.

Arsimi
Përqindja e nxënësve të cilët kalojnë nga shkolla fillore (tetëvjeçare) në shkollën e mesme është rreth 85%, prej të cilëve rreth 65 % vazhdojnë në Dibër, dhe 20% vazhdojnë në qytete tjera. Mesatarja e nxënësve të cilët kalojnë nga shkolla e mesme në shkollë të lartë është rreth 70% (për 7 vitet e fundit), dhe më konkretisht vitin e kaluar nga 151 nxënës, 90 prej tyre vazhdojnë në shkollë të lartë (90% e tyre në UEJL, Universitetin e Prishtinës, Tiranës, Manastirit, Shkupit, shumica e të cilëve nuk shfrytëzojnë bursa shkollore). Shkalla e kalimit të kuadrit me arsim të lartë në qytete të tjera është shumë i vogël.

Kultura
Dibra si vend i vjetër ka dhe traditën e vjetër të saj, e cila mund të themi se në mënyrë fanatike rruhet edhe sot. Ajo ka karakteristikat e saja të veçanta me të cila dallohet nga rrethet tjera. Edhe pse ka pasur ndikime të kulturave tjera, dibranët akoma i ruajnë zakonet e vjetra, këngët e tyre të vjetra, lojërat, veshjet dhe të gjithë simbolet e tjera etnografike.
Sot ka një stagnim në zhvillimin e sportit dhe kulturës ne mesin e të rinjve, për arsye se shoqëritë dhe objektet e shumta që më parë ekzistonin, sot nuk janë aktive apo kanë një aktivitet simbolik. Shoqëria e parë kulturore artistike "Liman Kaba" e cila ka qenë e njohur gati në tërë viset shqiptare tani është shkryer në SHKA "Haki Stërmilli". Mund të përmendim teatrin "Qemal Ajdini" në të cilin janë shfaqur shumë pjesë dramatike nga artistë profesionistë dha amatorë dibranë. Ekziston edhe grupi i këngëve qytetare "Penestija", i cili gati çdo vit organizon festivalin e këngëve qytetare "Këngët e Penestijes". Këtu mund të përmendim edhe klubin e shkrimtarëve "ART klub", i cili gati çdo muaj bën promovimin e ndonjë libri të ri të shkruar nga anëtarë të saj. Nga fusha e sportit do të përmendim klubin më të vjetër futbollistik "Korabi", i formuar në vitin 1923, klub në të cilin kanë kaluar shumë gjenerata lojtarësh, në këtë moment luan në ligën e tretë perëndimore. Në Dibër kemi dhe dy klubet të karatesë "Uraniku" dhe "Korabi", klube të cilët kanë prezentuar shpirtin sportiv të dibranëve nëpër garat internacionale evropiane duke fituar medalje nëpër këto gara. Klubet e hendbollit dhe basketbollit tani për tani nuk janë aktive.

Wednesday, July 7, 2010

Mbledhje Kryesie

Mbledhja e parë e Kryesisë së re të Shoqatës “Bashkësia Dibrane”


Në bazë të vendimit të Asamblesë së Shoqatës ditën e hënë më datë 21 qershor 2010 u mblodh kryesia e sapozgjedhur e Shoqatës “Bashkësia Dibrane”. Në këtë mbledhje të parë të Kryesisë fillimisht u ribë organizimi i brendshëm i Shoqatës, si dhe ndarja në departamente të ndryshme. Më poshtë do të gjeni Kryesinë e Përgjithshme të Shoqatës “Bashkësia Dibrane” e dalë nga mbledhja e datës 10 qershor 2010:
1. Faruk Borova
2. Avni Ndreu
3. Mira Pirdeni
4. Roald A. Hysa
5. Luan Pustina
6. Saimir Shatku
7. Bujar Kapexhiu
8. Arian Kadiu
9. Islam Sharofi
10. Edvin Cami
11. Agim Cani
12. Fatos Daci
13. Aziz Ndregjoni
14. Lulzim Mullahi
15. Erind Markja

Organizimi i ri i shoqatës do të jetë:
Dr. Faruk Borova – kryetar
Avni Ndreu – n/kryetar
Mira Pirdeni – n/kryetar
Roald A. Hysa – sekretar i përgjithshëm
Luan Pustina – departamenti ekonomik
Mag. Saimir Shatku – jurist, marrëdhëniet me jashtë dhe rininë
Prof. Arian Kadiu – Figura dhe ngjarje historike
Bujar Kapexhiu – art dhe kulturë
Mag. Edvin Cami – botimet
Aziz Ndregjoni – shëndetësi
Ermal Hoxha – financë

Vendimet e Kryesisë:
Kryesia e re mori vendim, që të hënën e fundit të çdo muaji të bëhet mbledhja e zakonshme e Kryesisë, ku do të merren vendimet e ndryshme për aktivitetet e shoqatës.
Mbledhja e radhës u vendos të bëhet më 26 korrik 2010, ora 18,00.
Për mbledhjen e radhës u mor vendim nga Kryesia, që juristi Saimir Shatku të merret me statutin e Shoqatës dhe amendimet e ndryshme që do të shihen të nevojshme për t’u bërë, si dhe pasojat ligjore që do të sjellë ndryshimi i tij.
Gjithashtu mor vendim që përgjegjësit e departamenteve dhe anëtarët e Kryesisë së Përgjithshme të Shoqatës të përgatisin projekt-propozimet e tyre për aktivitete të ndryshme, të cilat do të diskutohen dhe do të merret vendim në mbledhjen e radhës.
Një nga projektet që u diskutua dhe do të diskutohet edhe në mbledhjen vijuese ishte edhe sigurimi i fondeve financiare për mbarëvajtjen e Shoqatës.
Po ashtu juristi Saimir Shatku u ngarkua të gjejë rrugët e mundshme për të ndihmuar anëtarët e Shoqatës për rikthimin e pronave të dibranëve në Maqedoni.
Në këtë mbledhje ishin të pranishëm:
1. Faruk Borova
2. Roald Hysa
3. Luan Pustina
4. Saimir Shatku
5. Bujar Kapexhiu
6. Islam Sharofi
7. Edvin Cami
8. Aziz Ndregjoni
9. Tefik Tërshana

Kryetari:
Dr. Faruk Borova

Asambleja Zgjedhore


Shoqata “Bashkësia Dibrane” dhe mbledhja

e Asamblesë Zgjedhore

Më datën 10 qershor 2010, në orën 18.00 në ambientet e Akademisë së Shkencave në Tiranë në një auditor me pjesëmarrës të fushave të ndryshme, si intelektual, qytetar me origjinë dibrane, student etj. u organizua mbledhja e Asamblesë së shoqatës “Bashkësia Dibrane”. Fjalën e rastit e mbajti kryetari i shoqatës, Prof. Dr. Arian Kadiu, i cili bëri një përmbledhje të punës 4-vjeçare në drejtimin e shoqatës, si dhe qëllimet e saj. Pas tij fjalën e morri Z. Bujar Kapexhiu, ku ndër të tjera ngriti në piedestal rolin dhe kontributin e kryetarit të mëparshëm të shoqatës “Mjeshtrin e Madh të Sporteve Prof. Feti Borova”, i cili humbi jetën në mënyrë aksidentale.

Zoti Kapexhiu, theksoi se si Prof. Borova, është tepër vështirë që të vijnë drejtues të tillë të shoqatës, ku me aq pasion dhe zell ai e drejtoi për disa vjet shoqatën me aktivitete mjaft të rëndësishme. Më pas folën dhe zotërinjtë Islam Sharofi, që dha disa ide mbi rolin e shoqatës ndër vite, si dhe Dr. Naim Kaba, i cili theksoi misionin atdhetar, që kanë shoqatat me karakter patriotik dhe kombëtar në këto kohë. Ai theksoi duke i bërë dhe një kritikë shoqatës “Bashkësia Dibrane”, se ajo duhet të bashkëpunojë më ngushtë me shoqatat e tjera simotra, jo vetëm në Shqipëri, edhe me ato që ndodhen në trojet etnike shqiptare, si dhe ato që gjenden në diasporë (si SHBA, Kanada, Australi dhe në Evropë) për të qenë më bashkëpunues me njëri-tjetrin për të mirën e përbashkët, por edhe për shkëmbime dypalëshe e shumëpalëshe me shoqatat analoge.

I fundit i cili mbylli diskutimet e lira ishte Prof. Dr. Hyqmet Gonxhja, i cili ka qenë edhe kryetari i parë i shoqatës. Ai hodhi idenë e amendimit të statutit të shoqatës, duke ndryshuar ato dispozita të cilat janë arkaike për kohën, si dhe pasqyrimin në Statutin e Shoqatës Bashkësia Dibrane, me norma të reja që i përshtaten situatës aktuale, por dhe qëllimit dhe synimeve bashkëkohore të shoqatës. Për këtë qëllim Prof. Gonxhja, kishte përgatitur dhe një projekt statut (draft të ri për shoqatën), të cilin ia propozoi kryetarit në detyrë dhe anëtarëve të tjerë të kryesisë së shoqatës.

Më pas rendi i ditës vazhdoi me nominimin e emrave dhe të CV-ve të anëtarëve të rinj të kryesisë së shoqatës, të cilët u votuan në mënyrë të hapur nga pjesëmarrësit.
Më pas u paraqitën edhe kandidaturat për postin e kryetarit të shoqatës “Bashkësia Dibrane”, ku figura më e nominuar dhe që mori më shumë vota ishte ajo e ish-diplomatit shqiptar, Dr. Faruk Borova. Ndërsa në pozicionin e sekretarit të përgjithshëm të shoqatës u miratua z. Roald A. Hysa, me profesion gazetar. Ndërsa në postin e nënkryetarit të shoqatës u miratua Znj. Mira Pirdeni, me një eksperiencë disa vjeçare në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të gruas dhe barazisë gjinore në Shqipëri. Gjithashtu edhe z. Avni Ndreu u propozua për nënkryetar të shoqatës.

U ra dakort unanimisht nga të pranishmit, se mbledhja e radhës së Shoqatës të bëhej më dt. 21 qershor 2010, në ora 18.00, ku do të procedohej me amendimin e statutit të shoqatës sipas propozimit të Prof. Hyqmet Gonxhes, por dhe me përcaktimin e kalendarin e programeve dhe aktiviteteve të shoqatës, si dhe me ndarjen e departamenteve dhe detyrave të Kryesisë së Shoqatës.

Nga ana e tij kryetari i porsazgjedhur i shoqatës, Dr. Borova, falënderoi të pranishmit për besimin që patën tek ai, duke e votuar si kryetar të shoqatës, por dhe duke falënderuar rolin dhe kontributin e kryesisë së shoqatës ndër vite. Gjithashtu ai shprehu se bashkarisht kemi shumë detyra të rëndësishme për të relizuar, kur ndodhemi përpara synimeve të mëdha si p.sh: “Rruga e Arbërit“, theksoi Z. Borova, e cila ka si qëllim të afrojë përreth 75 min. Dibrën e Madhe me Tiranën, por dhe si një mundësi më shumë për të bashkuar trojet shqipfolëse në një komb dhe në një gjuhë të vetme.

Kryetari

Dr. Faruk Borova